Dinamo ka marrë një fitore bindëse 4-1 ndaj Elbasanit në sfidën e luajtur në Air Albania Stadium, duke konfirmuar forcën e saj në një ndeshje që pati jo vetëm gola, por edhe tension të lartë. Blutë përmbysin golin e Lajthisë, me Bregun dy here, Malomon e Vilën, duke u ngjitur tani -1 nga zona e Final 4.
Takimi nisi në mënyrën më të mirë për skuadrën e drejtuar nga Ivan Gvozdenović. Ishte Lajthia ai që kaloi Elbasanin në avantazh që në minutën e tretë, duke befasuar blutë dhe duke i dhënë verdhebluve një nisje perfekte. “Pavarësisht se pësuam gol në minutën e tretë, në pjesën tjetër kemi bërë mire – shpjegoi pas ndeshjes tekniku i kryeqytetasve Ilir Daja -. Tentuam që me kthjelltësi të vazhdonim atë që kishim bërë në pjesën e parë dhe të rregullonim disa gjëra. Kërkuam që dyluftimet të ishin më të forta”.
Megjithatë, reagimi i skuadrës së Ilir Daja ishte i menjëhershëm. Redon Bregu mori rolin e protagonistit, duke realizuar dy gola që ndryshuan rrjedhën e ndeshjes. Më pas erdhën edhe golat e Malomo dhe Lorenco Vila, që vulosën suksesin e dinamovitëve.
Sherri në tunel e kartonët e kuq
Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, por atmosfera u tensionua ndjeshëm para nisjes së pjesës së dytë. Në tunelin e stadiumit pati përplasje mes stafeve, aq sa ndërhyrja e policisë u bë e nevojshme. Gjyqtari Kreshnik Cjapi mori masa të menjëhershme, duke ndëshkuar me karton të kuq Elton Guranjaku, drejtorin sportiv të Elbasanit, si dhe Renaldo Kalari, ndihmësin e trajnerit të Dinamos.
Për shkak të situatës, fillimi i pjesës së dytë u shty për disa minuta, por në fushë Dinamo tregoi më shumë qetësi dhe cilësi, duke e kthyer ndeshjen në një fitore të thellë. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte reagimi në zëvendësim i Berishës, që befasoi edhe vetë teknikun Daja, që megjithatë nuk e bëri dramë: “Berisha ishte ndërrim i detyruar. Vazhdoi edhe 5 minuta nga pjesa e dytë, sepse nuk ishte gati Guindo. Në fund fare tha që bëra gabim që reagova ashtu. Në një aksion që Berisha mori topin nuk ishte në gjendje, kishte kontraktim të fortë, nesër do të bëhet ekzaminimi mjekësor. Nuk e kuptova reagimin, përtej dëshirës. Berisha na duhet edhe për ndeshjet e tjera, reagimin nuk e kuptoi as vetë ai, jo unë, pasi i kishim thënë në pushim që do luante edhe 5 minuta”.
Dinamo merr kështu suksesin e 11-të në kampionat, ndërsa për Elbasanin erdhi humbja e pestë sezonale.
GOLAT E MBRËMJES NË DINAMO-ELBASANI