Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, të bërë më herët gjatë Asamblesë së PS-së në Njësinë nr. 12 në Tiranë, ku ky i fundit ironizoi opozitën për akuzat mbi rritjen e korrupsionit gjatë 13 viteve të qeverisjes. Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi ndau një video me deklarata të Ramës dhe e akuzoi atë për mohimin e realitetit të krimit dhe korrupsionit, duke shtuar se një qasje e tillë vetëm sa e thellon më tej këtë fenomen.
Sipas Bardhit, përmes këtij qëndrimi, kryeministri po përpiqet të shmangë përgjegjësinë, të ndikojë dhe të intimidojë drejtësinë, si dhe të vonojë zgjidhjen e problemeve që lidhen me korrupsionin.
“MOHIMI QË KUSHTON! Koha ka provuar se sa më shumë që Edi Rama mohon një problem, aq më thellë është i zhytur në të dhe aq më shumë zvarritet për ta mbrojtur. Por çështja është se, bashkë me të, zvarriten edhe shqiptarët.
Duke mohuar realitetin e krimit dhe korrupsionit, siç po bën sot, Edi Rama shmang përgjegjësinë, dekurajon dhe intimidon drejtësinë, thellon krizën dhe vonon zgjidhjen, duke e kthyer çdo mohim në kohë të humbur për Shqipërinë.”, shkruan Bardhi.