Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në Europë dhe në botë kur matet me fuqinë blerëse të qytetarëve. Në një takim të mbajtur me ekspertë për çështjen e karburanteve, ai theksoi se kostoja e naftës rëndon ndjeshëm mbi ekonominë dhe buxhetin familjar, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e transportit, bujqësisë dhe produkteve ushqimore.
“Nuk ka asnjë faktor tjetër që t’u marrë qytetarëve shqiptarë që kanë vetura 7.2% të të ardhurave të tyre ditore. Në një kohë kur çmimi i naftës apo litra e naftës në Gjermani iu kushton gjermanëve 1.2% të të ardhurave ditore të tyre. U kushton zviceranëve rreth 1% të të ardhurave ditore. Shqiptarëve u kushton 7 herë më shumë. Ky është realiteti” – tha Berisha.
Berisha argumentoi se rreth 60% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat, duke e cilësuar këtë si një ngarkesë fiskale të paprecedentë.
“Nuk ka asnjë vend tjetër të ketë një ngarkesë të çmendur fiskale mbi litrin e naftës siç e ka Shqipëria. 60% e çmimit të naftës përbëhet nga ajo që qeveria u merr qytetarëve për çdo litër. Askush nuk e bën këtë përveç kësaj qeverie. Askush nuk e bën këtë dhe nuk mund të imagjinojë të bëjë një gjë të tillë. Në vitin 2013, taksa e qarkullimit ishte 7 lekë të vjetra për litër. E rriti në 28 lekë, e rriti me katër herë” – tha Berisha.
Ai akuzoi qeverinë Rama për politika të gabuara dhe abuzime, duke përfshirë edhe kontrabandën e karburanteve. Berisha theksoi se kjo situatë i kushton ekonomisë shqiptare miliarda euro dhe përkeqëson konkurrueshmërinë e sektorëve kryesorë, si bujqësia dhe industria, të cilat ai i cilësoi në recesion.
“Shet injorancë nga mëngjesi gjer në darkë para kamerave. Shet mashtrime të turpshme t’i dëgjojë një njeri. Dhe gjithçka bën për të mbuluar këtë ndëshkim që u bën shqiptarëve me çmimin e naftës. Ndëshkim që shkon në miliarda euro. Shkon në 2.6 miliardë euro. Shkon në pamundësi masive të fermerëve për të paguar mjetet e punës. Shkon në çmime të larta transporti. Në rritje të çmimit të ushqimeve. Dhe shkon në një cinizëm, në një sharlatanizëm ekstrem” – tha kreu i PD.
Në fjalën e tij, lideri demokrat kundërshtoi edhe nismën e qeverisë për të ndërhyrë në tregun e naftës përmes një ndërmarrjeje shtetërore, duke e krahasuar me rastin e Air Albania, që ka rezultuar me humbje të mëdha financiare. Ai paralajmëroi se një ndërhyrje e tillë do të përkeqësonte situatën dhe do të rriste rrezikun e abuzimeve.
“Qytetarët duhet ta dinë se u krijua ndërmarrja shtetërore Air Albania, u stampos edhe flamuri i bukur shqiptar. U gjetën edhe emra, Ismail, Sami e Naim. Vetëm e vetëm si të fshihej vjedhja e së paku 100 milionë eurove nga Air Albania. Ajo falimentoi me një borxh 100 milionë euro. Dhe tani thotë do të futem në treg, do gjejë ndonjë Ardi Veli apo Ergys Agas, të cilët i ka të besuarit e vjedhjeve, dhe si do ia bësh ti me ngarkesën 60% në treg? Na thuaj se këto janë gjëra shumë të thjeshta” – tha Berisha.
Kryetari i PD bëri thirrje për uljen e menjëhershme të taksave mbi karburantet, duke propozuar përgjysmimin e tyre si hap të parë, si dhe për një hetim ndaj Autoritetit të Konkurrencës, të cilin e akuzoi për dështim në mbikëqyrjen e tregut. Berisha njoftoi se Partia Demokratike do të paraqesë amendamente në Kuvend për të adresuar situatën.