Bashkimi Evropian po përgatitet për një tronditje të zgjatur në furnizimin me energji, ndërsa lufta në Iran vijon të ndikojë tregjet globale. Komisioneri evropian për energjinë, Dan Jørgensen, deklaroi për Financial Times se blloku po shqyrton “të gjitha opsionet” për të përballuar situatën, përfshirë kufizimin e konsumit të karburantit dhe lirimin e rezervave strategjike të naftës.
“Kjo do të jetë një krizë e gjatë… çmimet e energjisë do të mbeten të larta për një kohë shumë të gjatë,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet në javët në vijim, veçanërisht për produktet më kritike.
Sipas Jørgensen, BE duhet të përgatitet për një periudhë të vështirë, ndërsa tensionet gjeopolitike po ushtrojnë presion të fortë mbi furnizimin dhe çmimet e energjisë në tregjet ndërkombëtare. Autoritetet evropiane po shqyrtojnë skenarë të ndryshëm për të garantuar sigurinë energjetike, duke përfshirë masa emergjente që synojnë stabilizimin e tregut dhe shmangien e mungesave të mundshme në muajt e ardhshëm.