Paralajmërimi i shpërndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara për rrezikun e sulmeve nga Irani në vendin tonë ka konkretizuar një debat delikat mbi nivelin real të rrezikut të luftës ndaj Shqipërisë, një rrezik që autoritetet shqiptare vazhdojnë ta relativizojnë dhe ta mohojnë publikisht.
Në mesazhin e saj, ambasada u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, duke theksuar se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë entitete të lidhura me Shtetet e Bashkuara apo elementë të opozitës iraniane të vendosur në Shqipëri. Në njoftim, theksohej se këto grupe “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”.
Reagimi i autoriteteve shqiptare ishte i menjëhershëm, por në thelb relativizues. Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë i deklaroi Radios Evropa e Lirë se institucionet ligjzbatuese shqiptare “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.
Në të njëjtën linjë, në reagimin zyrtar u theksua se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.
Madje, përmes një gjuhe që tenton të zbusë perceptimin e rrezikut, agjencia shtoi: “Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”.
Megjithatë, përpjekja për ta relativizuar situatën u shoqërua me një komunikim të dytë nga Ambasada amerikane, i cili e riktheu theksin te dimensioni i sigurisë.
“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë”, thuhej në këtë mesazh të dytë për televizionin A2, ku shtohej se “Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm”.
Sulmet virtuale të iranianëve drejt Shqipërisë
Deri në këtë moment, veprimet e atribuara Iranit ndaj Shqipërisë janë materializuar kryesisht në hapësirën kibernetike. Sulmet kanë synuar sisteme dhe infrastruktura dixhitale shtetërore, duke sjellë ndërprerje të përkohshme të shërbimeve dhe ekspozim të të dhënave sensitive.
Vetëm javën e kaluar, u raportuan sulme ndaj sistemeve të postës shqiptare, prokurorisë dhe Kuvendit, ndërsa më herët janë goditur edhe databaza të Policisë së Shtetit, përfshirë akses në komunikime zyrtare të nivelit të lartë.
Përgjegjësinë për këto sulme e ka marrë grupi “Homeland Justice”, i cili konsiderohet i lidhur me autoritetet iraniane. Në komunikimet e publikuara në platformën Telegram, ky grup ka deklaruar se veprimet e tij synojnë të ndëshkojnë Shqipërinë për strehimin e anëtarëve të opozitës iraniane, të njohur si MEK.
Në planin politik, qeveria shqiptare ka ndjekur një linjë të qartë përballjeje me Iranin, duke u pozicionuar në sinkron me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Në mesin e muajit mars, Kuvendi miratoi një rezolutë që e shpall Iranin “shtet sponsor të terrorizmit”, me 79 vota pro dhe një abstenim, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Dokumenti dënonte aktivitetet e Republikës Islamike të Iranit si mbështetëse të terrorizmit, operacioneve hibride dhe veprimtarive destabilizuese në nivel global.
Rezoluta përfshinte gjithashtu dënimin e sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, përfshirë sulmin e vitit 2022 dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit.
Pas atyre zhvillimeve, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke mbyllur ambasadën iraniane në Tiranë dhe duke dëbuar stafin diplomatik.
Raportet mes dy vendeve mbeten të tensionuara prej më shumë se një dekade, që prej momentit kur Shqipëria pranoi të strehojë anëtarët e organizatës MEK në territorin e saj.
Debatet në parlament, qeveria kërkon ta shmangë diskutimin
Paralajmërimi i ambasadës amerikane u reflektua menjëherë edhe në debatin parlamentar, ku përfaqësues të opozitës kërkuan trajtim serioz të çështjes.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, deklaroi se “Ne i ndjekim me kujdes të gjitha paralajmërimet e aleatëve tanë. Jemi në kontakt me ata në Uashington, me partnerët në NATO”, duke tentuar të japë një mesazh qetësues.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi se “Jo më larg se mbrëmjen e djeshme, i kam kërkuar strukturave të antiterrorit të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së ambasadës amerikane”, duke shtuar se masat e sigurisë janë rritur në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, opozita e konsideron situatën si një çështje që kërkon transparencë dhe reagim institucional në nivel të lartë.
Deputeti Fatmir Mediu kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi praninë e kryeministrit në Kuvend për të dhënë shpjegime mbi qëndrimin e qeverisë.
“Një qeveri që për vite të tëra nuk pa 98% të territoreve të lira të mbjella me kanabis nuk mund të jetë e besueshme. Ta quash deklaratën e Ambasadës si hamendësim na bën qesharakë dhe tregon që nuk kemi bashkëpunim me partnerin tonë strategjik”, deklaroi Bardhi.
Pavarësisht këtyre kërkesave, shumica qeverisëse duket e orientuar drejt një qasjeje që synon të shmangë amplifikimin publik të çështjes.
Në këtë linjë, ministri Niko Peleshi argumentoi se deklarata të tilla duhet të trajtohen me kujdes në hapësirën publike, pasi “mund të shkaktojë panik edhe pse mund të jetë një deklaratë pa baza”.
Por ky qëndrim mohues i mazhorancës në pushtet për të mos përhapur frikë dhe panik, ngre një pyetje që shkon përtej misionit të opozitës për të dëmtuar qeverinë: A është heshtja, strategjia e duhur për të ruajtur qetësinë, kur paralajmërimi vjen nga SHBA, partneri kryesor strategjik i Shqipërisë?/Lapsi.al