Sonte, një fitore për Kosovën dhe gjithë shqiptarët

Nga Adriatik Kelmendi

Të besojmë, bastet e botës nuk mund ta parashikojnë e prognozojnë një gjendje tjetër në ndeshjen Kosovë – Turqi. Urinë. Ne e kemi urinë për të dëshmuar se jemi të zotë dhe mundemi. Kemi uri për të na njohur, për të na respektuar, për të treguar se ekzistenca jonë është e merituar. Ata që e kanë veshur ndonjëherë faqellën me flamurin e Kosovës e dinë tashmë se si është kur të thonë: e keni të pamundur. Por ja ku jemi – qenka e mundur!

JANË 7-8 MILIONË shqiptarë të botës, sonte, në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Se sonte në Prishtinë, po, 11 lojtarë do të jenë duke djersitur fanellën në fushë, por 7-8 milionë shqiptarë do të jenë duke ëndërruar. Ëndrrrën se një vend i vogël, i izoluar, të bijtë e brezit që vetëm para disa vjetësh kishte luajtur futboll në fusha e livadhe plot lloq, mund të hyjë në skenën më të madhe të botës pa asnjë kompleks vegjëlie.

Nëse Kosova mund Turqinë sonte – dhe unë besoj se kjo realisht mund të ndodh – arrihet shumë më tepër sesa një fitore në sport. Topi sonte flet përtej rezultatit sportiv. Do të flasë edhe për politikë, gjeopolitikë. Çaste kur shteti më i ri, në kontinentin e vjetër, ka rastin t’i tregojë botës se nuk është më vetëm një rast që kujtohet mes lajmesh për probleme e konflikteve, por i një popullate që kurrë s’i frikësohet ambicies. Dhe rezultatit. Fitores.

S’MUND TË JEMI NAIVË. Turqia, natyrshëm, hyn në fushë si favorite. Letra na e përplas fytyrës të dhënat. Emra sportistësh të mëdhenj, traditë dhe përvojë, buxhet dhe popullatë 10 fish më të madhe se shqiptarët, histori edhe më të madhe.

Statistikat dhe analizat e kohëve të fundit na tregojnë se Turqia fitoi me rezultat minimal kundër Rumanisë dhe gjithandej po vlerësohet se është në formë të mire. Shto këtu edhe idenë se që nga viti relativisht i largët 2002 nuk ka arritur të luajë në Kupën e Botës në futboll. Sonte turqit e dinë se kanë mundësinë t’i japin zor për ta thyer fatin e keq.

Teksa Kosova jonë hyn në fushë me super motivim pas fitores me përmasa epike ndaj Sllovakisë, 4 me 3, një shteti që nuk na e njeh pavarësinë, por nuk do ta harrojë asnjëherë se ishte ky “joshtet” që ua mohoi “shtetësinë amëerikane” në ngjarjen kryesore të botës në futboll.

Pavarësisht se edhe bastoret sot po e parashohin kryesisht Turqinë si favorite ( 42-45% gjasa për fitore, krahasuar me Kosovën 32-33 dhe barazimin rreth 25%). Por bastoret edhe deri më sot thuaja çdo herë kanë parashikuar njëlloj. Dhe, shpesh – janë befasuar.

Të besojmë, bastet e botës nuk mund ta parashikojnë e prognozojnë një gjendje tjetër. Urinë. Ne e kemi urinë për të dëshmuar se jemi të zotë dhe mundemi. Kemi uri për të na njohur, për të na respektuar, për të treguar se ekzistenca jonë është e merituar. Jo rastësisht, lojtarët tanë kurrë nuk harrojnë ta bëjnë shqiponjën me duar, pavarësisht kërcënimeve me dënime nga federatat. Se janë koshientë se loja e tyre në fushë është përtej futbollit. Është identitet dhe deklaratë për respekt. Nuk lëshojnë pe.

EDHE NJË GJË është e rëndësishme. Është fat që kemi përballë një shtet si Turqia. Një shtet mik, në të cilin si askund tjetër, sa herë që dikujt i thua “jam shqiptar”, ose “jam nga Kosova”, menjëherë të ngrohë me respekt krejt të veçantë, diçka që fatkeqësisht rrallë vlen për shtete të tjera. Përkundrazi. Dhe ka qenë Turqia, ajo e cila kishte luajtur me Kosovën futboll në kohën kur askush nuk e merrte seriozisht.

Po, Kosova dhe Turqia, sot janë dy shtete me miqësi të madhe. Por miqësinë do ta vazhdojmë ne kafiteritë që sot po ndajnë kafe falas për tifozët turq në Prishtinë, në tribuna dhe në festimet pas ndeshjes. Por në fushë presim betejë: 11 djem që luftojnë më tepër, 11 burra që besojnë më shumë – do të fitojnë. Dhe ata që e kanë veshur ndonjëherë faqellën me flamurin e Kosovës e dinë tashmë se si është kur të thonë: e keni të pamundur. Por, që pastaj është dëshmuar se është e mundur. Siç u tregua se, po, është e mundur që, në Stadiumin që mban emrin e Fadil Vokrrit, njeriut që vetëm para disa vjetësh ka qenë duke lutur të mëdhnjtë e sportit në botë për t’i bërë një vend Kosovës – sonte presin ta prejnë biletën drejt Amerikës. Kupës së Botës.

Kjo i bie që brezi ynë i ri – ai që u rrit pa parë luftë, por duke dëgjuar për të, dhe ai që njëkohësisht ka më shumë vjet se çka shteti që përfaqëson – mund ta shohë flamurin duke valvitur në stadiumet më të mëdha të botës. I bie se fëmijët nga Peja në Gjilan, nga Mitrovica në Prizren, do të kenë arsye të re për të ëndërruar: jo vetëm të luajnë futboll, por edhe të fitojnë si kosovarë.

E SIÇ PO PRES, nëse fitojmë sonte, nuk do të festojmë vetëm në Prishtinë. Do të festojë çdo shqiptar kudo. Kjo fitore nuk është vetëm e Kosovës. Është e të gjithë atyre që besuan se ideja e lirisë fiton kur i jepet mundësia.
Sonte pritet të shkruhet historia. E Kupës së Botës së vitit 2026.
Dhe unë, besoj, se do të jetë me ngjyrat tona. Kosova 3 – Turqia 1.

Fundi i fundit, edhe nuk është edhe aq me rëndësi rezultati. Është porosia: Jemi këtu! Po shkruajmë histori! Për Kosovën! Për krejt shqiptarët!

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top