Sot vendi ynë do të përfshihet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin. Reshjet e shiut me intensitet të ulët do të nisin që në orët e para të ditës përgjatë vijës bregdetare. Gradualisht ato do të shtrihen në pjesën tjetër të vendit. Gjatë ditës, ato do të jenë të pranishme në shumicën e zonave, herë pas here në formë shtrëngatash afatshkurtra, të shoqëruara lokalisht me shkarkesa elektrike, kryesisht në qendër dhe jugperëndim.
Në zonat malore, veçanërisht në Alpe dhe në veri, verilindje e juglindje mbi 800–900 metra lartësi, priten reshje dëbore me intensitet të ulët. Era do të fryjë me drejtim verilindje–juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s dhe deri në 18 m/s përgjatë bregdetit dhe zonave luginore. Në det, valëzimi pritet të arrijë forcën 3 ballë.