Kurti paralajmëron takime me opozitën për zgjedhjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të ftojë në takime liderët e partive opozitare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ai tha se deri më tani nuk ka pasur kohë për të zhvilluar konsultime të brendshme lidhur me këto takime për shkak të një vizite në Paris të Francës. Por, ai shtoi se ato do të ndodhin së shpejti.

“Do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare që të shohim se cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve”, tha Kurti.

Kurti tha se konsultimet e brendshme do t’i zhvillojë sot dhe nesër e pastaj do të vijnë ftesat për opozitën.

I pyetur se a do të tërhiqen kandidaturat e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufcës, dhe deputetes së LVV-së, Fatmire Kollçakut, për postin e presidentit, Kurti tha se “do të shihet se çka është e mundur ligjërisht”.

Sipas tij, për të qenë i sigurt procesi i zgjedhjes së presidentit, nevojitet një mbështetje edhe më e gjerë në Kuvend.

“Duhet të jemi rreth 85 që të jemi të sigurt që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëj edhe ftesa dhe do të zhvilloj edhe takime”, theksoi ai.

Kurti nuk dha detaje se çfarë ofertash konkrete mund të paraqiten në këto takime, duke shtuar se kjo do të bëhet e ditur vetëm pasi të zhvillohen ato.

Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit është futur në një afat të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Lidhur me çështjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se sapo të krijohen kushtet do të vazhdohet seanca për presidentin, e nisur më 5 mars.

“Siç u njoftova, kryeministri Kurti sot ka bërë të qartë se do të vazhdojë me ftesat për grupet parlamentare, prandaj uroj që këto diskutime, takime të çojnë deri te një zgjidhje për çështjen e presidentit. Është shumë me rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje”, tha ajo gjatë një konference për media teksa po mbahej mbledhja e kryesisë së Kuvendit.

E pyetur se çfarë ndodh me 30 nënshkrimet për kandidatët për president nëse ndonjëri nga dy kandidatët largohet nga gara, Haxhiu tha se nëse ka vullnet gjendet zgjidhje.

“Në raport me situatën aktuale, çfarë është e rëndësishme është vullneti. Rruga për të arritur te zgjidhja sapo të ketë vullnet gjendet. Në këtë drejtim, as Kushtetuta, as ndonjë ligj, as Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh situata të ndalimit të tërheqjes ose të kandidatit ose të nënshkrimeve ose çfarë nëse shtohet edhe një. Ju e dini më së shumti katër kandidatë mund të jenë”, theksoi ajo.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se është përgjegjësi e Kurtit që t’i japë shtetit një president.

“Ne mendojmë që është përgjegjësia e drejtpërdrejt e kryeministrit Kurti me 66 vota, atëherë edhe tash, t’i japë Kosovës presidenti”, tha ai, duke shtuar se për t’u arritur 80 votat e nevojshme për presidentin duhet një marrëveshje politike.

Ai u shpreh skeptik se paralajmërimet e Kurtit për takime për presidentin do të prodhojnë ndonjë rezultat.

“Ju e shini vetë, kjo është një metodë pune, një procedurë standarde që ky formacion politik që e udhëheq Kosovën, t’i zvarrisë punët dhe në fund të vijë, të bëjë një proces kinse po diskutojmë për një president unifikues. Prapë do të ndodhë e njëjta, prapë do të shkojë avazi i njëjtë”, tha ai.

Më 25 mars, Kushtetuesja vendosi se deputetët kanë edhe 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, përkatësisht deri më 28 prill. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.

Takime të tilla mes Kurtit dhe opozitës janë paralajmëruar edhe para seancës së 5 marsit, kur Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin për shkak të mungesës së kuorumit. Madje, kryeministri kishte dërguar ftesa për takim edhe gjatë kohës kur çështja ishte në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, liderët e partive opozitare kishin refuzuar të takoheshin në atë fazë, duke theksuar se preferonin të prisnin vendimin e Kushtetueses përpara se të hynin në bisedime politike.

Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese pasi presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Gjykata vlerësoi se ky dekret nuk ka prodhuar efekt juridik.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota.

Partitë opozitare kanë theksuar se përgjegjësia kryesore për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet, ndërsa kanë kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.

Zgjedhja e presidentit duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila përmbyll mandatin e saj më 5 prill.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje brenda afatit të caktuar, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhjesh, vetëm pak kohë pas përfundimit të atyre të fundit./REL

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top