Gjatë kremtimit të Mundimeve të Jezusit në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leo ka përcjellë një mesazh të fortë kundër luftës dhe dhunës, duke theksuar se Zoti nuk mund të përdoret për të justifikuar konfliktet.
Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë u ndal te shembulli i Jezusit, i cili, sipas tij, nuk u armatos dhe nuk bëri luftë, por zgjodhi të sakrifikohej për njerëzimin.
“Jezusi nuk u armatos, nuk u mbrojt, nuk bëri asnjë luftë. Ai zbuloi fytyrën e butë të Zotit, i cili gjithmonë e refuzon dhunën”, u shpreh Papa Leo.
Ai theksoi se ky është një Zot që e hedh poshtë luftën dhe që nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën. Sipas tij, lutjet e atyre që nxisin apo bëjnë luftë nuk mund të dëgjohen.
“Ky është Perëndia ynë, një Zot që refuzon luftën, të cilin askush nuk mund ta përdorë për ta justifikuar atë”, u shpreh Papa.
Papa Leo nënvizoi se mesazhi i Krishtit mbetet një thirrje për paqe dhe kundër çdo forme dhune, duke kujtuar se sakrifica e tij në kryq ishte për të përqafuar vuajtjet e njerëzimit në çdo kohë.