Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është shoqëruar me tensione mes ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili dhe ish-ministres Elisa Spiropali.
Sipas burimeve brenda mbledhjes, gjatë prezantimit të Ismailit mbi strategjinë e komunikimit, Spiropali ka reaguar me të qeshur, çka është konsideruar e papërshtatshme nga ministrja. Ismaili i është drejtuar duke i kërkuar të mos ndërhynte, ndërsa Spiropali ka kundërshtuar dhe ka kërkuar një ndjesë publike.
Debati është përshkallëzuar më tej, duke detyruar ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, i cili i ka kërkuar Spiropalit të mos ndërpriste fjalën e ministres. Sipas të njëjtave burime, ai ka paralajmëruar edhe me përjashtim nga mbledhja nëse situata do të vijonte.
“Ti mos e hap gojën fare, fare. Ti një herë mos fol fare, të paktën në prezencën time!”, ka deklaruar Rama, sipas burimeve. Në fund, situata është qetësuar pas ndërhyrjes së deputetit Erion Braçe.
Ky episod vjen në vijim të një debati të mëparshëm brenda grupit parlamentar, lidhur me mungesën e Spiropalit në një votim të rëndësishëm në Kuvend, çështje për të cilën ajo kishte kërkuar diskutim të hapur në grup, por që nuk u trajtua në këtë mbledhje.