Policia franceze ka parandaluar një sulm me mjet shpërthyes pranë një dege të ‘Bank of America’ në orët e para të mëngjesit. Një person është arrestuar në flagrancë, teksa dyshohet se po përgatiste aktivizimin e pajisjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30, disa rrugë larg Champs-Élysées në Paris. Sipas autoriteteve, i dyshuari kishte vendosur një pajisje të improvizuar, e përbërë nga rreth pesë litra lëndë e dyshuar si karburant dhe një mekanizëm ndezjeje.
Prokuroria kundër terrorizmit ka marrë në dorë hetimet, duke e cilësuar rastin si “tentativë dëmtimi me mjete të rrezikshme në kuadër të një sipërmarrjeje terroriste” dhe “komplot kriminal terrorist”. Në hetim janë përfshirë edhe policia gjyqësore e Parisit dhe shërbimi i inteligjencës së brendshme DGSI, ndërsa i arrestuari ndodhet në paraburgim.