Në Varshavë nuk u mbyll vetëm ëndërra e kualifikimit për në finalet e Botërorit 2026, por edhe një cikël për Kombëtaren. Ende jo për lojtarët, edhe ata me moshën më të avancuar, por për një projekt që u nis nga Sylvinho pak më shumë se tre vjet më parë. Eliminimi nga Polonia me përmbysje ka bërë që tani, për teknikun brazilian të ketë mbetur vetëm një ndeshje për tu diskutuar: ajo në Valencia kundër Ukrainës, humbëse në sfidën e saj me Suedinë.
Në janar 2026, Sylvinho firmosi një rinovim 7 mujor të kontratës, duke qenë se arriti në playoff të Botërorit. Akordi me brazilianin mbyllej me fushatën kualifikuese, ndaj erdhi edhe ky rinovim, që përfshinte ndeshjet e playoff-it në muajin mars, por edhe turneun e madh në SHBA, Kanada e Meksikë në rast kualifikimi. Kjo gjë nuk ndodhi, prej 2-1 me Poloninë, kështu që tani impenjimi i fundit i teknikut do të jetë ai i 31 marsit, në miqësoren me Ukrainën.
Vetë braziliani dribloi me elegancë çështjen e të ardhmes, në pas ndeshjen me polakët (“Kontrata është deri në muajin korrik dhe më pas do të vendosim. Ka qenë një rrugëtim prej tre viteve ku ka ndodhur çdo gjë”), por gjërat sipas asaj që filtron kanë qenë të vendosura. Objektivi i brazilianit ishte arritja në Botëror dhe mungesa e përmbushjes së pritshmërisë ka koston e saj. Sidoqoftë, edhe në rast se Sylvinho e dërgonte skuadrën në misionin historik, nuk do të vazhdonte më me kuqezinjtë, pasi i kishte udhëhequr në Euro 2024 dhe potancialisht Botërorin 2026. Më mirë se kaq, në dy fushata radhazi, vështirë se mund të bëhej, kështu që 51 vjeçari do të mendonte për një tjetër eksperiencë.
Sylvinho drejton Shqipërinë që nga janari i vitit 2023, duke u bërë trajneri më i suksesshëm i Kombëtares. Në 33 ndeshje tekniku brazilian arriti 15 fitore, 7 barazime dhe 11 humbje, me një golavarazh me 40 gola të shënuar dhe 29 të pësuar. Ndeshjet zyrtare do të rikthehen në shtator, pikërisht me Nations League, por atëherë kontrata e teknikut do të ketë përfunduar, ndërsa ajo ndaj Ukrainës më 31 mars është e fundit për brazilianin në pankinën e Shqipërisë.