Salianji i përgjigjet Berishës: Pse i trembesh garës?

Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas deklaratës së bërë nga kreu i PD-së Sali Berisha gjatë konferencës së sotme për shtyp, i cili tha se Salianji ka shkelur statutin dhe për këtë arsye është vetëpërjashtuar nga partia.

Salianji, në një postim në rrjete sociale, shprehet se ka qenë dhe do të mbetet pjesë e Partisë Demokratike me kontribut dhe sakrificë deri në burg, duke akuzuar më pas Berishën se i trembet garës dhe për këtë arsye, siç thotë ai, “shpiken romane me “vetëpërjashtime”.

“Unë nuk jam vetëpërjashtuar nga askund. Përkundrazi, kam qenë dhe jam pjesë e Partisë Demokratike, me kontribut, sakrifica deri në burg politik, me përballje reale dhe fitore për demokratët!”, shkruan Salianji, ndërsa i drejtohet liderit të PD-së me pyetjen se përse i trembet garës për kryetar të partisë blu.

Salianji thotë se demokratët dhe partnerët kërkojnë rregulla dhe votë, ndërsa shton se “pjesa tjetër është propagandë për të mbuluar frikën”.

“Problemi nuk është kush “përjashtohet”, por pse nuk lejohet gara, se Sali Berisha apo kushdo tjetër mund të thotë çfarë të dojë për mua, por nuk mund të shmangë pyetjen kryesore: pse i trembet garës? Unë kërkoj vetëm një gjë: rregulla dhe votë, këtë kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët!”, shton më tej ish-deputeti i PD.

Reagimi i Berishës erdhi në përgjigje të një pyetjeje që iu bë gjatë konferencës në lidhje me një deklaratë të deputetes Jorida Tabaku nëse PD duhet ta lejojë Salianjin që të kandidojë për lidershipin e partisë, e cila la të nënkuptohej se gara duhet të jetë e hapur për këdo dhe se në një parti politike ajo që vendos për ecurinë e tyre është vota.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top