Zgjedhja e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të trajtohet në një proces gjyqësor në Gjykatën Administrative, pas një padie të paraqitur nga një prej kandidatëve në garë.
Zyrtari i Policisë së Shtetit, Gentian Ndoi, kundërshton procedurën e ndjekur në fazën e përzgjedhjes dhe shpalljen fitues të Joni Ketës, duke pretenduar se ka rezultuar me më shumë pikë në konkurs dhe se duhej të ishte ai i emëruari në këtë post.
Në seancën e zhvilluar më 26 mars, Ndoi ka kërkuar shfuqizimin e shkresës dhe raportit të Komisionit të Përzgjedhjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mbi bazën e të cilave u rekomandua Keta, me argumentin se këto akte janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe duhet të shpallen të pavlefshme.
Seanca e radhës për shqyrtimin e çështjes është caktuar në fillim të muajit prill.
Ndërkohë, Joni Keta u zgjodh drejtues i BKH-së me shumicë votash nga Komisioni i SPAK-ut.
Në padinë e tij, Ndoi kërkon gjithashtu që gjykata të detyrojë Komisionin e Përzgjedhjes të përcjellë për emërim kandidatin me më shumë pikë në garë, si dhe që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të bëjë emërimin e tij në krye të BKH-së. Po ashtu, ai kërkon që institucioni të nisë pagesën e pagës për këtë funksion nga muaji dhjetor e në vijim.