Më në fund të gjithë nën urdhërat e teknikut Sylvinho. 15 minuta të hapura për mediat, pastaj dyer të mbyllura për të provuar variantet taktike e skemat e lojës. Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fazës play-off të Kupës së Botës ndaj Polonisë në Varshavë.
Departamenti i Komunikimit bën me dije se në stërvitjen e sotme ekipi ishte i plotë, pasi janë bashkuar edhe tre lojtarët e fundit, ndërkohë që të gjithë lojtarët ndodhen në gjendje të mirë fizike. Fokusi i stërvitjes ishte te skemat taktike dhe goditjet standarde. Natyrisht vëmendja më e madhe në ato mbrojtëse, duke patur parasysh kundërshtarët shtatlartë dhe një Lewandowski të aftë në luftën në ajër.
Ditën e nesërme, Kombëtarja do të udhëtojë drejt Varshavës, ku në mbërritje do të zhvillojë stërvitjen zyrtare në stadiumin “PGE Narodowy” në orën 18:00. Ndërkohë, në orën 17:00, trajneri Silvinjo dhe një lojtar do të dalin para mediave në konferencën për shtyp.