Sot mbahet seanca e dytë e gjyqit në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe 28 personave e shoqërive që bëjnë pjesë në këtë dosje.
Në seancën e parë në themel që u zhvillua më 9 mars, Veliaj arriti të siguronte një fitore pasi GJKKO më në fund pranoi kërkesën e tij të përsëritur për të marrë të gjitha aktet e dosjes hetimore.
Ai nuk u paraqit në këtë seancë dhe u përfaqësua nga avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku. Përmes një deklarate, Veliaj pretendoi se nuk ishte zhvilluar ende seanca paraprake dhe, sipas tij, procesi nuk mund të ishte në fazën e gjykimit në themel.
Vetëm një ditë pas miratimit të kërkesës së tij nga GJKKO, SPAK, përmes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i dorëzoi 28 mijë faqe nga 72 fashikujt e dosjes, në funksion të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.
Veç Veliajt, në seancën e parë në themel, mungoi edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, përfaqësuar nga avokati Maks Haxhia, i cili informoi gjykatën se ajo është shtatzënë dhe mjeku i ka ndaluar lëvizjen për arsye shëndetësore.
Po ashtu munguan, por u përfaqësuan nga avokatë, të pandehurit e tjerë, Klotilda Bushka, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu. I vetmi i pandehur që u paraqit fizikisht në seancë ishte biznesmeni Elman Abule, i cili deklaroi se do të jetë i pranishëm edhe në vijim të procesit.
Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të Erion Veliajt, bashkëshortes Ajola Xoxa, edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje, më 9 shkurt. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë.