Votuesit italianë kanë hedhur poshtë një reformë të sistemit gjyqësor të nxitur nga kryeministrja, Giorgia Meloni, një rezultat që pritet të dëmtojë reputacionin e saj në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Në një referendum dy-ditor, pothuajse 54% e votuesve u thanë “jo” planeve për riorganizimin e sistemit gjyqësor, krahasuar me rreth 46% të kampit “pro”.
Duket se rezultati u përcaktua nga votuesit e rinj, pasi 61% e të rinjve të moshës 18 deri në 34 vjeç i shpërfillën propozimet, sipas të dhënave nga një sondazh i kryer në RAI.
Të hënën pasdite, pasi u publikuan rezultatet, Meloni tha: “Italianët kanë vendosur dhe ne e respektojmë këtë vendim. Ne do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt ndaj popullit italian dhe Italisë.”
Pjesëmarrja arriti një rekord prej 58.5%, sipas të dhënave nga ministria e brendshme italiane, duke rrëzuar parashikimet se dalja në votime do të ishte e ulët.
Roberto D’Alimonte, një profesor i politikës në Universitetin Luiss në Romë, u shpreh “Jemi të gjithë të befasuar nga niveli i pjesëmarrjes. Jam shumë i impresionuar.”
Ndonëse natyra e ndryshimeve të propozuara, të cilat kërkonin ndryshime në kushtetutën post-fashiste të Italisë, ishin teknike dhe komplekse, fushata e referendumit ishte kryesisht e mbushur me retorikë nxitëse nga Meloni dhe ministrat e saj ndaj gjyqësorit.
Qeveria e ekstremit të djathtë e Melonit ka rezultuar jashtëzakonisht e qëndrueshme dhe që kur erdhi në pushtet në tetor 2022, kryeministrja ka kultivuar marrëdhënie të mira pune me shumë udhëheqës evropianë dhe Donald Trump. Partia e saj “Vëllezërit e Italisë”, e cila ka rrënjë neofashiste, kryeson në sondazhe me rreth 30%, ndërsa Meloni kryeson lart në sondazhet personale të opinionit.
Por kjo aurë e pathyeshmërisë tani është dëmtuar, thonë analistët. “Pozicioni i saj do të vuajë. Ajo do të jetë një kryeministre më e dobët” – thotë D’Alimonte.
Humbja në referendum do ta bëjë më të vështirë për koalicionin qeverisës të Melonit të ecë përpara me planet për të miratuar një ligj zgjedhor që mund t’i japë një fitore të sigurt në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2027. Kjo gjithashtu mund të prishë politikën tjetër kryesore të Melonit, duke i lejuar elektoratit të votojë drejtpërdrejt për kryeministrin, një veprim që do të kërkonte gjithashtu një ndryshim të diskutueshëm kushtetues.
“Ky është projekti i saj i preferuar. Kjo është të ulesh në parlament duke pritur rezultatin e këtij referendumi. Humbja do të thotë se ajo do të humbasë ndikimin për ta çuar atë përpara” – tha D’Alimonte.
“Gjëja tjetër është se kur fillon të humbasësh në politikë, mund të përballesh me një ndryshim në erë. Njerëzit fillojnë të të shohin ndryshe. Nuk je i pamposhtur. Ke bërë një gabim.”
Disfata vjen në një kohë veçanërisht të ndjeshme, me koston e jetesës që po rritet për shkak të konfliktit në zgjerim në Lindjen e Mesme si rezultat i luftës SHBA-Izrael në Iran. Meloni ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Trump dhe është ideologjikisht në harmoni me të, ndërsa shumica e italianëve janë kundër luftës dhe kanë një mendim negativ për të.
“Ky është një mjedis i pafavorshëm për Melonin” – tha D’Alimonte. “Ke faturat e gazit dhe energjisë elektrike që po rriten, dhe lidhja e saj me Trump është diçka që edhe votuesit e saj e mendojnë si problematike, për të mos thënë më shumë.”
Rezultati i referendumit pritet të rrisë fatin e partive opozitare, të cilat në pjesën më të madhe mbështetën fushatën kundër, duke u dhënë atyre një platformë mbi të cilën të bashkohen dhe ndoshta të ndërtojnë një forcë të besueshme kundër Melonit.
“Ne ia dolëm – rroftë kushtetuta”, – shkroi Giuseppe Conte, ish-kryeministri që drejton Lëvizjen Pesë Yje. ©The Guardian, përshtati në shqip LAPSI.al