Në fund “spiun i brendshëm” te Chelsea, kampion i botës për klube por i sapo eliminuar nga Champions League, doli në pah. Te Blues kishte prej kohësh dikush që nxirrte paraprakisht zgjedhjet taktike dhe teknike të Liam Rosenior, trajnerit të londinezëve, i cili përballë rrjedhjes së vazhdueshme të informacionit kishte premtuar se do ta zgjidhte problemin. Dhe brenda pak ditësh nga premtimi publik, situata duket se është zgjidhur pas një hetimi të brendshëm të thellë, të shpejtë dhe mbi të gjitha efektiv: “E dimë kush është, e kemi zgjidhur problemin”.
Nuk do të shërbejë për të zbutur goditjen e rëndë të marrë nga PSG në Champions League, por do të shërbejë si paralajmërim për të tashmen dhe të ardhmen, për qetësinë e një ambienti prej kohësh të trazuar. Ndërkohë, një problem është zgjidhur: Liam Rosenior ka zbuluar se Chelsea ka identifikuar personin që nxirrte informacionet mbi formacionin, pasi formacioni titullar ishte publikuar nga mediat franceze para ndeshjes së parë të 1/8-ve kundër PSG.
🚨 Liam Rosenior on team leaks at Chelsea: “We know. It's not come from any place of malicious intent, to me or the team”.
“We have dealt with the situation”. pic.twitter.com/sGUGJi3m9B
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) March 19, 2026
Një situatë e pakëndshme që u përsërit edhe para ndeshjes në Stamford Bridge, kur doli se Wesley Fofana nuk do të luante dhe se Trevoh Chalobah dhe Jorrel Hato ishin vendosur si qendërmbrojtës: “E dimë kush është”, tha Rosenior duke mbyllur çështjen. “Dhe nuk vjen nga ndonjë qëllim i keq ndaj meje apo skuadrës. E dimë nga vijnë informacionet dhe e kemi menaxhuar situatën duke e zgjidhur”. Rosenior nuk dha detaje të tjera, por mendohet se hipoteza më tronditëse, që informacioni vinte nga një lojtar apo anëtar i stafit, është eliminuar.
“Nuk është hera e parë që ndodh, dhe nuk do të jetë e fundit”, shtoi Rosenior, duke theksuar se rrjedhjet e informacionit janë tashmë një praktikë e përhapur jo vetëm te Chelsea: “Nuk flas vetëm për veten dhe klubin tim, por për çdo skuadër. Këto gjëra ndodhin shpesh. Dhe kur ndodhin, është zhgënjyese”.