E bujshme ajo që ka ndodhur: Komiteti i Apelit i CAF i ka hequr Kupën e Afrikës Senegalit për braktisjen e fushës, duke ia dhënë titullin Marokut. Një vendim i pritur prej 2 muajsh, por askush nuk mendonte se mund të përmbysej realisht. Ajo që ndodhi atë natë ishte vërtet e pabesueshme. Senegali e la fushën për më shumë se 10 minuta pasi Marokut iu akordua një penallti në minutat e fundit të kohës së rregullt. Një penallti që më pas, pas rikthimit në fushë të Senegalit, u gabua nga Brahim Diaz, duke hapur shumë skenarë mbi këtë çështje.
Vendimi absurd pas 2 muajsh
E pra, Konfederata Afrikane e Futbollit ka njoftuar këtë mbrëmje, përmes një komunikate, se Maroku është shpallur përfundimisht fitues i Kupës së Afrikës 2025 pas asaj që ndodhi gjatë finales. Senegali, të cilit iu mohua fitorja në fushë, është shpallur humbës në tavolinë me rezultatin 3-0. Neni 82 përcakton se “nëse, për çfarëdo arsye, një skuadër largohet nga fusha para përfundimit të parashikuar të ndeshjes pa lejen e arbitrit, do të konsiderohet humbëse dhe do të eliminohet përfundimisht nga kompeticioni”.
Juria ka zbatuar gjithashtu nenin 84, i cili përcakton se “skuadra që shkel dispozitat e neneve 82 dhe 83 do të përjashtohet përfundimisht nga kompeticioni” dhe se “do ta humbasë ndeshjen me rezultatin 3-0”. Gjithçka ndodhi në minutat e fundit të ndeshjes, kur u zhvillua një protestë e bujshme nga ana e Senegalit, që fillimisht protestoi për një penallti të paakorduar dhe më pas shpërtheu në momentin kur VAR akordoi një penallti për Marokun për një kontakt shumë të ngjashëm, që sipas tyre nuk duhej të ishte sinjalizuar.
The CAF Appeal Board decided that in application of Article 84 of the Regulations of the CAF Africa Cup of Nations (AFCON), the Senegal National Team is declared to have forfeited the Final Match of the TotalEnergies CAF Africa Cup of Nations (AFCON) Morocco 2025 (“the Match”),…
— CAF Media (@CAF_Media) March 17, 2026
Çfarë ndodhi?
Protestat ishin aq të forta sa Senegali, me përjashtim të Mané, e la fushën në shenjë proteste, duke u bindur vetëm më pas nga kapiteni i tyre dhe ish-lojtari i Liverpool për t’u rikthyer në fushë dhe për të lejuar ekzekutimin e asaj penalltie. Nga pika e bardhë, Brahim Diaz provoi “panenka”, por goditja e tij u prit nga Mendy, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë. Një goditje nga njëmbëdhjetë metrat që u bë objekt diskutimesh, protestash dhe shumë të tjerash. Pas atij gabimi, Senegali arriti të shënojë dhe kupa shkoi pikërisht te “Luanët e Terangas”, që triumfuan duke mposhtur Marokun me rezultatin 1-0. Një përfundim i turneut që nuk u pranua nga drejtuesit e federatës së Marokut, të cilët paraqitën menjëherë ankesë, e pranuar vetëm tani me një vendim vërtet të bujshëm.
Vetëm se nuk ka mbaruar ende. Senegali ka konfirmuar se do ta çojë çështjen në CAS, ku shpreson të marrë titullin që fitoi në fushë. Nga ana tjetër, sipas nenit 59 të rregullores së CAF, Senegali mund të përjashtohet nga turneu i ardhshëm i kupës së Afrikës. Skenarë të hapur, e asgjë e mbyllur. Kupa e Afrikës është e destinuar të bëjë akoma zhurmë.