Peleshi për vizitë zyrtare në Gjermani, përjashton deputetët e PD nga delegacioni

As Gjermania nuk arrin të bashkojë demokratët dhe socialistët. Këtë javë, deputetë nga të dyja krahët fluturojnë drejt Berlinit, një pjesë e tyre për takime zyrtare në Bundestag, ndërsa pjesa tjetër për takime me partinë simotër të CDU-së.

Burime për A2CNN bëjnë me dije se në delegacionin e Parlamentit, kryetari Niko Peleshi ka marrë me vete tre socialistë: Taulant Ballën, Erion Malajn dhe Iris Luarasin. Ndërsa nga opozita ka përzgjedhur Edmond Haxhinaston e Partisë së Lirisë dhe Redi Muçin e Lëvizjes Bashkë.

Në këtë delegacion mungon përfaqësimi i Partisë Demokratike, të cilët, të pyetur nga A2CNN, shprehen se nuk janë thirrur nga Kryetari i Kuvendit. Për këtë mungesë, Niko Peleshi dha një shpjegim kur u kontaktua nga A2.

Niko Peleshi, Kryetar i Kuvendit:

“Kemi dy deputetë të opozitës. E gjykoj të arsyeshme të përfshij deputetë të ndryshëm nga të gjitha krahët e politikës në delegacionet e vizitave zyrtare”.

Delegacioni i Parlamentit gjatë ditës së enjte do të ketë takime me Presidenten e Bundestagut, me grupin e miqësisë Shqipëri–Gjermani, si dhe me kryetarin e Komitetit për Çështjet Evropiane.

Edhe pse Peleshi nuk i ka përfshirë në delegacionin zyrtar, tre deputetë të PD-së – Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu, ndodhen në Berlin për takime me përfaqësues të CDU-së.

Kreu i grupit demokrat shkroi në rrjetet sociale pas takimit me zëvendëskryetaren e Grupit Parlamentar të CDU-së në Bundestag, përgjegjëse për çështjet europiane, se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq sa i përket integrimit.

Gazment Bardhi, kryetar i grupit të PD-së:

“Lufta kundër korrupsionit mbetet sfida kryesore që pengon avancimin real të vendit drejt Bashkimit Europian. Një kulturë politike që shndërrohet në mburojë për korrupsionin jo vetëm dëmton besimin e qytetarëve, por edhe bllokon progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit”.

Shqipëria po kalon një moment të vështirë në Bruksel, pasi disa vende anëtare me peshë në vendimmarrjet e BE-së, mes të cilave raportohet se është edhe Gjermania, nuk po japin miratimin që vendi ynë të marrë një vlerësim pozitiv për standardet e ndërmjetme në fushën e shtetit të së drejtës dhe funksionimit të demokracisë, i njohur ndryshe si IBAR.

Sipas burimeve, ky skepticizëm lidhet me zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe me vendimin që mori mazhoranca socialiste ndaj kërkesës së SPAK për imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Balluku./ A2 CNN

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top