Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai është i përfshirë në një sërë aferash dhe dosjesh korruptive. I pyetur nga gazetarët në ambientet e jashtme të SPAK, Berisha u ndal tek zhvillimet që lidhen me AKSHI-n, ku sipas tij po dalin dëshmi të reja.
Berisha deklaroi se, pas ish-zyrtarit Gerond Meçe, ka nisur të flasë edhe Daniel Shima, për të cilin tha se mund të hedhë dritë mbi mënyrën se si përcaktoheshin tenderat në këtë institucion.
‘Unë atë që kam thënë e kam lexuar nga ajo që më ka ardhur nga dosja. Ajo që ka ardhur nga dosja është shumë e vërtetë. Atë e ka pasur prokurori Mara. Prokurorit Mara i ka shkuar mendja ta zhdukë, por pastaj e ka kuptuar se ajo ekziston edhe në vende të tjera dhe nuk e ka zhdukur. E ka ai. Është ajo, nuk hiqet ajo. Dihet ajo. Plus që Meçe ka dëshmuar në shumë vende, ka dëshmuar në institucione të tjera. Dhe tani ka filluar të flasë edhe ai që nuk më pëlqeu në fillim, ky Danieli, se e morën dhe e zhdukën. Altin Dumani nuk e mori në hetim. Altin Dumani tha se Skapi nuk ka ndonjë hetim ndaj Daniel Shimës, ish-shoferit, pastaj zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Mirlindës së gjorë që banon në apartament me qira, pastaj zoti i vërtetë i AKSHI-t e me radhë.
Dhe tani ai po flet, dhe unë i them fol më mirë, se nuk ke ku shkon po nuk fole. Duhet të flasësh, të tregosh, keni transformuar agjencinë shtetërore në një shpellë mafiesh shumë të rrezikshme. Pra, a mund të më thuash mua se ku nuk është i implikuar Edi Rama? Pa le po të marrim udhëtimet e tij. Pse nuk lejoi Edi Rama të ngrihet komisioni hetimor për udhëtimet e tij, për 140 udhëtime me avion brenda 2 viteve, 21 milionë euro, me të cilat të dhëna të shumta flasin se janë transportuar sasi të mëdha parash. Ka transportuar sasi të mëdha parash me avion. Ka të tjerë që thonë edhe drogë, por unë nuk kam të dhëna. Megjithatë hetimi do i tregonte. Ka transportuar para, ka transportuar drogë, çfarë ka transportuar? Si mundet, presidenti i SHBA ka udhëtuar 70 herë në dy vite me avion, Edi Rama 140 herë. Pra këto janë gjërat që ai i mbylli këtu. Ua vuri, jeni organizatë partie, u tha, jeni organizatë e partisë time, bëtë gabim,’ tha Berisha.