Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Flamurtarit, duke triumfuar 2-1 në stadiumin e Vlorës në ndeshjen e javës së 28-të të “Abissnet Superiore”. Një sukses që mban gjallë ambiciet e verdhebluve në garën për titullin kampion dhe që i rikthen në vendet e para të klasifikimit pas një sfide të mbushur me episode dhe ndërprerje.
Skuadra elbasanase e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 5’ me anë të Xhonatan Lajthisë. Sulmuesi shfrytëzoi një moment të favorshëm në zonë për të mposhtur portierin vendas dhe për t’i dhënë një start ideal ekipit të tij. Pavarësisht golit të hershëm, pjesa e parë nuk prodhoi shumë emocione të tjera, me lojën që u zhvillua kryesisht në mesfushë dhe me pak raste të pastra përpara portave respektive.
Marku, penalltia e tretë e humbur në tre ndeshjet e fundit
Pjesa e dytë, në të kundërt, solli më shumë tension dhe momente dramatike. Flamurtari pati mundësinë më të mirë për të rikthyer ekuilibrin në minutën e 54’, kur fitoi një penallti. Megjithatë, Herald Marku nuk arriti të përfitojë nga pika e bardhë, pasi portieri Janaçek ndali tentativën e tij. Xhaja përsëriri penalltinë me arsyetimin se Lajthia ishte futur në zone para kohe, por Marku edhe pse ndryshoi krahun e goditjes përsëri u ndal nga ndërhyrja e portierit çek, i cili u shndërrua në protagonist të momentit. Penalltia e tretë e humbur në katër ndeshjet e fundit nga shkodrani, që deri kundër Partizanit kishte shënuar gjithnjë nga pika e bardhë.
Në një moment kur Flamurtari po kërkonte barazimin, Elbasani goditi sërish. Lajthia realizoi golin e tij të dytë personal në këtë sfidë, duke dyfishuar shifrat dhe duke i dhënë verdhebluve një avantazh të rëndësishëm. Megjithatë, ndeshja mbeti e hapur, pasi Flamurtari reagoi dhe ngushtoi diferencën me Ramanin në minutën e 65-të, duke rikthyer tensionin në minutat e mbetura.
Dëmtimi i Janacek
Një tjetër episod që ndikoi në rrjedhën e takimit ishte përplasja mes portierit të Elbasanit, Martin Janaçek, dhe Erald Maksutit të Flamurtarit. Kontakti mes dy lojtarëve shkaktoi dëmtimin e rëndë të portierit çek, i cili u detyrua të largohej nga fusha dhe u dërgua menjëherë drejt spitalit për kontrolle të mëtejshme. Për shkak të këtij incidenti dhe vonesës në ardhjen e një ambulance tjetër, ndeshja u ndërpre për më shumë se dhjetë minuta, nga minuta e 69’ deri në të 82’.
Pas rifillimit të lojës, gjyqtari Xhaja ndëshkoi Maksutin me karton të verdhë për episodin e përplasjes, ndërsa portieri rezervë Klevi Totoshi mori vendin e Janaçek në portën e Elbasanit. Minutat e fundit u karakterizuan nga përpjekjet e Flamurtarit për të gjetur golin e barazimit, ndërsa arbitri akordoi plot 17 minuta shtesë për shkak të ndërprerjeve të shumta gjatë pjesës së dytë.
Megjithatë, skuadra vlonjate nuk arriti të krijojë mundësi konkrete për të ndryshuar rezultatin dhe sfida u mbyll me fitoren 2-1 të Elbasanit. Falë këtij suksesi, verdheblutë ngjiten në kuotën e 52 pikëve dhe rikthehen në vendin e dytë të renditjes, me të njëjtën pikëzim si kryesuesja Vllaznia, duke e bërë edhe më të fortë garën për titull në javët e mbetura të kampionatit. Në anën tjetër, Flamurtari mbetet në vendin e fundit të tabelës me 24 pikë, duke vazhduar një sezon të vështirë në luftën për mbijetesë.