SPAK: Pastrimi i parave po kthehet në arkitekturë të qëndrueshme në Shqipëri

Pastrimi i parave në ekonominë shqiptare po zhvendoset nga modelet sporadike drejt arkitekturave të qëndrueshme dhe më të sofistikuara.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Në raportin vjetor për Kuvendin e Shqipërisë, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) shprehet se, nga analiza e rasteve të hetuara mbi veprimtarinë e grupeve të strukturuara kriminale gjatë viteve të fundit, evidentohet një model i integruar i pastrimit të parave, i lidhur ngushtë me aktivitete kryesore kriminale nga të cilat kanë burimin këto të ardhura kriminale, si trafiku i narkotikëve, trafiku i armëve, emigrimi i paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore dhe skemat mashtruese financiare.

Sipas SPAK, skemat e pastrimit karakterizohen nga diversifikimi i kanaleve te transferimit dhe maskimit të fondeve, duke përfshirë sisteme informale të transferimit të vlerave (Havala) përdorimin e kriptovalutave, qarkullimin intensiv të parasë në dorë (cash) dhe fragmentimin e transaksioneve për të shmangur raportimin financiar.

Në disa raste konstatohet përdorimi i rrjeteve ndërkombëtare me nyje operacionale në disa shtete, ku ndahen funksionet e gjenerimit të të ardhurave kriminale, transferimit të tyre dhe riintegrimit në ekonomi përmes ndërmjetësve dhe strukturave mbuluese.

Përdorimi i komunikimeve të enkriptuara dhe i ndërmjetësve të specializuar financiarë rrit nivelin e fshehtësisë dhe vështirëson gjurmimin e këtyre transaksioneve monetare.

Tipare të përsëritura në raste të ndryshme përfshijnë përdorimin e subjekteve tregtare formalisht të ligjshme, si mbulesë për qarkullimin dhe riciklimin e fondeve, ku janë përfshirë zyra të këmbimit valutor, shoqëri transfertash parash, agjenci udhëtimi, subjekte ndërtimi dhe tregtare, si dhe struktura financiare jobankare.

Këto aktivitete shërbejnë jo vetëm për depozitimin dhe shpërndarjen e shumave, por edhe për krijimin e dokumentacionit fiktiv.

Një karakteristikë e veçantë ishte shpërndarja e përfitimeve brenda rrjeteve; personat që realizojnë transferimin dhe transportin e parave zakonisht përfitonin nga 3 deri 10% të shumës së dërguar, me normë mesatare të zakonshme rreth 5%-6% të ndara mes koordinatorëve të vendit të origjinës dhe atyre në vendin pritës, ndërsa transportuesit fizikë marrin shpërblim më të ulët, rreth 1%-5% ose pagesë fikse për çdo dërgesë.

Faza përmbyllëse e pastrimit përfshin investime në pasuri të paluajtshme, biznese me qarkullim të lartë cash dhe aktivitete tregtare me kontroll të brendshëm të dobët, duke synuar integrimin e të ardhurave kriminale në ekonominë formale.

Në tërësi, sipas SPAK, rastet tregojnë kalimin nga modele sporadike drejt arkitekturave të qëndrueshme dhe shumëanshme të pastrimit të parave, të mbështetura nga organizim i sofistikuar, bashkëpunim ndërkombëtar dhe instrumente financiare alternative./ E.Sh. Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top