Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka prezantuar raportin e Partisë Socialiste për kërkesën e SPAK mbi arrestimin e Belinda Ballukut.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Duke folur në mbledhjen e grupit të PS ai u shpreh se hetimet ndaj Ballukut nisën pas dy kallëzimeve, një në 2024 nga Lulzim Basha, dhe një në 2025 nga Gazment Bardhi.
Manja shtoi se kallëzimet e vitit 2024, të cilat lidhen me veprën penale “shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, përkojnë me një periudhë parazgjedhore. Ai shtoi se kjo vepër penale nuk klasifikohet si korrupsion, por si një vepër me natyrë administrativo-penale.
“Në lidhje me faktin nëse kërkesa është bërë nën ndikime politike. Ndonëse mbrojtësit e Ballukut nuk bënë pretendime, ama këshilli konstaton një fakt publik, kallëzimi i bërë në gusht 2024 është bërë nga Lulzim Basha ish kryetar i PD. Kallëzimi i dytë në shtator 2024 nga Gazment Bardhi, i cili ka qenë në kushtet e konfliktit të pastër të interesit.
Më vonë pastaj në 2025 këto dy procedime penale janë bashkuar në një procedim penal dhe që sot mban një numër unik procedimi mbi bazën e të cilit po zhvillohen hetimet.
Koha kur u bënë kallëzimet në vitin 2024, për shkelje të barazisë në tendera apo ankande, nuk përbën vepër penale korrupsioni. Më pas kemi një zhurmë të madhe që e ka vështirësuar këtë proces. Ne nuk jemi ndalur, pasi respektojmë plotësisht qëndrimin e mbrojtjes dhe besojmë te drejtësia. Në këtë pikë ne i qëndrojmë dhe respektojmë qëndrimin publik, por edhe atë të mbrojtjes së koleges sonë, Balluku.
Sa i takon kërkesës së SPAK për ndalim të daljes jashtë shtetit dhe mbajtje në burg, ne i qëndrojmë qëndrimit tonë. Është me interes për publikun dhe për ju, të nderuar deputetë, që të theksohet një fakt me rëndësi: në vlerësimin tonë jemi bazuar në provat dhe arsyetimet e SPAK dhe i kemi qëndruar besnikë nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.
Në vlerësimin tonë, si anëtarë të Këshillit të Mandateve, kjo qasje reduktuese nuk përputhet me frymën e Kushtetutës. Autorizimi është akt vullneti që mbart përgjegjësi politike dhe juridike. Nëse dhënia e këtij autorizimi do të ishte e detyrueshme sa herë që kërkohej nga SPAK, atëherë dispozita kushtetuese do të ishte e panevojshme. Këtë e ka theksuar edhe Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj, si dhe opinionet e Komisionit të Venecias“, u shpreh Manja.