Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke bërë të ditur se çështja është dërguar në Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Në një konferencë për mediat, Kurti deklaroi se nuk mund të flitet për zgjedhje të reja pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese, e cila sipas tij duhet të shqyrtojë materialin e depozituar lidhur me vendimin e presidentes.
“Nuk mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese, e cila ka një material që duhet ta trajtojë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë më pak se katër javë që kanë marrë detyrën dhe se shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë është e pajustifikuar.
Sipas Kurtit, Kushtetuta parashikon që Kuvendi shpërndahet vetëm në rast se pas tre raundeve votimi nuk zgjidhet presidenti.
“Kuvendi shpërndahet nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet president. Ne nuk kemi mbërritur atje. Mbrëmë kishim dy kandidatë, por nuk u konsumua as raundi i parë e lëre më i treti”, deklaroi ai.
Kurti shtoi se procedura për zgjedhjen e presidentit sapo kishte nisur dhe se vendimi për shpërndarjen e Kuvendit është marrë para përfundimit të saj.
“Ne mbrëmë sapo filluam me raundin e parë dhe kurrsesi nuk jemi në raundin e tretë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës kujtoi gjithashtu se Kushtetuta parashikon edhe një afat 60-ditor për zgjedhjen e presidentit nga momenti i nisjes së procedurës.
“Sipas Kushtetutës, nëse brenda 60 ditësh nuk zgjidhet presidenti nga nisja e procedurës, atëherë shpërndahet Kuvendi. Ky është një afat kohor dhe nuk lidhet me numrin e raundeve”, përfundoi Kurti.