Kosova po hyn sërish në një cikël zgjedhor të parakohshëm, pasi Presidentja Vjosa Osmani vendosi të shpërndajë Kuvendin, duke e cilësuar dështimin për zgjedhjen e presidentit të ri si një shkelje të qartë të Kushtetutës.
Në një deklaratë të prerë, Osmani njoftoi se ka firmosur dekretin për shpërndarjen e parlamentit, duke theksuar se deputetët “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”. “Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, deklaroi ajo.
Në thelb, kriza shpërtheu pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. Mandati i Osmanit përfundon më 4 prill dhe sipas interpretimit të saj të nenit 86 të Kushtetutës, presidenti i ri duhej të zgjidhej jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, pra deri më 5 mars.
Por seanca parlamentare u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi opozita bojkotoi votimin. Në garë ishin dy kandidatë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, por pa praninë e opozitës procesi u bllokua.
Në një lëvizje që e thelloi edhe më shumë krizën institucionale, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e përkohshëm të afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
Por Osmani e rrëzoi publikisht këtë interpretim. “Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”, deklaroi presidentja.
Sipas saj, dështimi për të zgjedhur presidentin nuk ishte as rastësi dhe as paaftësi. “Përkundrazi, ishte një veprim shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar”, tha Osmani, duke lënë të kuptohet se kriza ishte rezultat i manovrave politike brenda shumicës.
Në prapaskenë, kjo përplasje shihet si kapitulli i fundit i një tensioni që prej kohësh po rritet mes presidentes dhe kryeministrit Albin Kurti.
Ironia politike është se Vjosa Osmani synon një mandat të dytë si presidente, por emri i saj nuk u propozua zyrtarisht nga askush në Kuvend, as nga vetë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Edhe pse kjo parti ka 57 deputetë, më shumë se mjaftueshëm për të siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme për një kandidaturë, Osmanit nuk iu hap rruga për rikandidim.
Vetëvendosje pretendoi në orët e vona të 4 marsit se i kishte ofruar Osmanit nënshkrimet, por Presidenca e mohoi menjëherë këtë version duke e cilësuar një gënjeshtër.
Në këtë atmosferë mosbesimi dhe rivaliteti, presidentja hodhi në tryezë edhe një tjetër ide politike: ndryshimin e Kushtetutës që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe jo nga Kuvendi.
Megjithatë kjo nismë ka pak gjasa të realizohet shpejt, pasi amendamentet kërkojnë një proces të gjatë kushtetues dhe vota që aktualisht askush nuk i ka në parlament.
Ndërkohë juristët janë të ndarë mbi vendimin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit. Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për Evropa e Lirë se Kushtetuta është shkelur me moszgjedhjen e presidentit brenda afatit, por nuk është e qartë nëse kjo automatikisht çon në zgjedhje të reja.
“Është e pakontestueshme që është shkelur Kushtetuta, por ajo nuk parasheh sanksion të drejtpërdrejtë për shpërndarjen e Kuvendit”, tha ai.
Sipas Miftarajt, nëse dekreti i presidentes sfidohet në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit mund të zgjedhë mes dy rrugëve: ose ta konsiderojë vendimin të ligjshëm, ose të ndjekë logjikën e një vendimi të mëparshëm, ku edhe pse kishte një afat kushtetues për konstituimin e Kuvendit, nuk u parashikua sanksion për mosrespektimin e tij.
Ai e quajti gjithashtu “një shaka me qytetarët” kërkesën e kryetares së Kuvendit drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e afateve.
Në fund, kriza ka prodhuar atë që në politikën kosovare ndodh shpesh: zgjedhje të reja.
Por pas kësaj historie juridike me nene kushtetuese dhe interpretime të ndryshme, në thelb qëndron një realitet shumë më i thjeshtë politik: marrëdhënia mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit është ftohur aq shumë sa që bashkëjetesa institucionale duket bërë e pamundur. Ideja është që kur në Prishtinë shterojnë kompromiset, zgjedhjet bëhen zgjidhja më e shpejtë për të shtyrë krizën për disa muaj më vonë.