Pedro Sánchez deri tani ka qenë i vetmi mes liderëve kryesorë të Bashkimit Europian që ka kritikuar ashpër vendimin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për të nisur një luftë kundër Iranit. Ai e ka bërë këtë prej disa ditësh, me deklarata, konferenca për shtyp dhe postime në rrjetet sociale, në një mënyrë që bie në sy në krahasim me qasjen shumë më të butë ndaj Donald Trump të mbajtur nga krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish europiane.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Sánchez e ka cilësuar luftën e nisur nga SHBA dhe Izraeli si një veprim “unilateral” që kontribuon në krijimin e “një rendi ndërkombëtar më armiqësor dhe më të pasigurt”. Ai nuk është kufizuar vetëm në kritika verbale, në fillim të javës madje i ka mohuar ushtrisë amerikane përdorimin e bazave ushtarake në territorin spanjoll për të sulmuar Iranin. Në përgjigje, presidenti amerikan Trump ka kërcënuar me ndëshkime të rënda ekonomike kundër Spanjës, duke e cilësuar qeverinë e Sánchez si “të tmerrshme” dhe “armiqësore”.
Të mërkurën Sánchez iu përgjigj Trumpit duke e ftuar “të mos e marrë si të mirëqenë se bota mund t’i zgjidhë problemet e saj vetëm mbi bazën e luftërave me bomba” dhe “të mos përsërisë gabimet e së kaluarës”. Ai tha gjithashtu se qëndrimi i qeverisë spanjolle mund të përmblidhet në frazën “Jo luftës”, dhe u kërkoi SHBA, Izraelit dhe Iranit të ndalin armiqësitë para se të jetë tepër vonë: “Kështu fillojnë katastrofat e mëdha të njerëzimit.”
Nuk është hera e parë që Sánchez është kaq i ashpër ndaj Trumpit.
Pas kapjes së presidentit venezuelian Nicolás Maduro gjatë sulmit amerikan ndaj Venezuela në fillim të janarit, Sánchez ishte i vetmi lider i rëndësishëm europian që reagoi në mënyrë vërtet kritike ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai kishte shkruar se Spanja nuk e njihte regjimin e Maduros, por se në të njëjtën kohë nuk do të njihte as legjitimitetin e “një ndërhyrjeje që shkel të drejtën ndërkombëtare dhe e shtyn rajonin drejt një horizonti pasigurie.”
Një tjetër pikë e madhe përçarjeje mes tyre ka qenë gjithmonë qëndrimi i SHBA ndaj pushtimit izraelit të Gazës. Gjatë gjithë luftës në Gaza, Trump i ka dhënë një mbështetje shumë të gjerë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, pavarësisht masakrave dhe krimeve të rënda të kryera nga ushtria izraelite kundër palestinezëve.
Sánchez ka qenë gjithashtu lideri europian më kritik ndaj Izraelit që nga fillimi i pushtimit tokësor të Gazës pas sulmeve të 7 tetorit 2023. Ai është përpjekur ta izolojë diplomatikisht dhe të bindë Bashkimin Europian të zgjerojë sanksionet kundër izraelitëve përgjegjës për krimet e kryera në Gaza, edhe pse pa sukses. Mes të tjerash, ai ka ndaluar me ligj të miratuar nga parlamenti shitjen e armëve ndaj Izraelit dhe e ka quajtur këtë të fundit një “shtet genocidal”, në një kohë kur asnjë lider tjetër perëndimorë nuk e kishte përdorur ende këtë term.
Pozicioni i veçantë i Sánchez, të paktën në Europën Perëndimore, u pa edhe gjatë negociatave të brendshme në NATO për të detyruar vendet anëtare të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në një afat të afërt. Kjo kërkesë ishte bërë nga Trump, i cili kishte adoptuar një retorikë gjithnjë e më agresive kundër faktit që vendet europiane varen nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e tyre.
Pas shumë diskutimesh, liderët europianë u përkulën para kërkesës së Trumpit, edhe sepse duke lëshuar në këtë pikë shpresonin ta bindnin atë të arrinte një marrëveshje ekonomike me Bashkimin Europian për të ulur tarifat e mëdha doganore që qeveria amerikane kishte vendosur në mënyrë të njëanshme në prill. U përkulën të gjithë, përveç Sánchez. Kryeministri spanjoll u kundërvu propozimit duke thënë se e konsideronte atë “të paarsyeshëm” dhe “kundërproduktiv”, si dhe të papajtueshëm me financat spanjolle.
Trump u zemërua, por për të miratuar marrëveshjen kërkohej unanimitet, pra edhe vota e Spanjës. Spanja, e cila kërcënonte të vendoste veto, u përjashtua nga marrëveshja dhe sot është i vetmi vend europian që nuk ka marrë përsipër detyrimin për ta çuar shpenzimin ushtarak në 5 për qind të PBB.
Është e mundur që Sánchez të ketë marrë pozicione kaq të forta kundër Trumpit jo vetëm për arsye politike, të cilat sigurisht ekzistojnë, por edhe për arsye oportuniteti.
Në muajt e fundit Sánchez është goditur nga disa skandale që kanë përfshirë familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. Partia e Puntorëve Socialistë Spanjollë, partia socialiste e së cilës Sánchez është lider, ka pësuar gjithashtu disa humbje elektorale, për shembull në zgjedhjet rajonale të Aragon, ku partia kryesore e qendrës së djathtë në Spanjë, Partia e Popullit mori rreth dhjetë pikë përqindje më shumë se socialistët. Me pak fjalë, prej kohësh ai ndodhet në vështirësi në disa fronte.
Sipas Politico, skandalet e kanë reduktuar ndjeshëm hapësirën e manovrës së Sánchez në çështjet e brendshme spanjolle, duke kufizuar aftësinë e tij për të bërë reforma dhe për të imponuar politikat e tij. Për këtë arsye, ai mund të ketë kërkuar më shumë hapësirë veprimi në politikën e jashtme, ku mund të përdorë edhe qëndrimet e tij kundër Trumpit për të fituar më shumë mbështetje në Spanjë. Trump në fakt është shumë pak popullor te elektorati spanjoll: një sondazh i janarit nga instituti YouGov tregon se vetëm 19 për qind e spanjollëve kanë një opinion pozitiv për të.
Sánchez është gjithashtu një nga shumë pak liderët e majtë që kanë mbetur në Bashkimin Europian. Përveç tij janë socialdemokratja Mette Frederiksen në Danimarkë dhe laburisti Robert Abela në Maltë, dy vende që kanë një peshë shumë më të vogël krahasuar me Spanjën. Të shfaqet si antagonisti kryesor i Trumpit mund t’i lejojë Sánchez të fitojë vlerësime edhe përtej kufijve kombëtarë./IlPost.it