Reperi Mossi (Gramos Krasniqi) është vënë në pranga nga policia pas dhunës fizike kundrejt gazetarit Burim Pacolli.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Sulmi ndodhi disa ditë më parë në Prishtinë kur gazetari është sulmuar prej reperit dhe dy personave të tjerë, të cilët gjithashtu janë arrestuar. Shkak ishte një video e postuar në Instagram-in e Pacollit ku ai kishte renditur disa prej “diss”-eve më të forta të reperëve shqiptarë në emisionin e Meriton Mjekiqit, ku kishte veçuar Butën (Betim Januzin), i cili i ka kushtuar një të tillë Mossit.
Prej kohësh, mes Butës e Mossit ekziston një rivalitet dhe të dy janë kundërpërgjigjur me vargje këngësh.
Menjëherë pas sulmit ndaj Pacollit, Mossi reagoi në rrjetet sociale duke thënë se ai kishte refuzuar të zhvillonte një intervistë me të, ndaj kjo e kishte bërë gazetarin të reagonte ndaj tij.
Ai vuri gjithashtu në diskutim punën e gazetarit, i cili para këtij postimi kishte ndarë edhe një video të këngës së re të Mossi-t ku komentonte se prej kohësh, reperi nuk sjell më risi në tekst e muzikë.
“Duhet t’i japësh kohë ose edhe vit tjetrit që ta kritikosh përsëri, jo çdo projekt ende pa dalë mirë se ashtu është shumë e tepërt dhe personale”, shkruante Mossi në postim. “Mendove se si gazetar që je, je i paprekshëm e i mbrojtur”, vijonte ai duke përmbyllur se “s’do të jesh asnjëherë i paprekshëm”.
Por në reagimin zyrtar të vetë Pacollit, ai hidhte poshtë se sherri kishte të bënte me refuzimin e ftesës. Kjo vetëm nxiti një reagim tjetër nga Mossi që shkroi “dua gjak e mish” duke e kërcënuar haptazi, ndërsa më vonë i dërgoi edhe mesazhe gazetarit duke i thënë se “7 minuta ke për të fshirë atë postim edhe mos të më përmendësh më kurrë, sa të jetë jeta e gjatë më ke borxh, mbaje mend”.