REL: Frikë dhe shpresë në Iran mes bombardimeve SHBA-Izrael

Iranianët janë kapluar nga frika dhe shpresa derisa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po zhvillojnë bombardime të mëdha për t’i shfarosur udhëheqësit klerikalë të vendit.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Sulmet ajrore që nga 28 shkurti e kanë rrënuar një pjesë të madhe të udhëheqjes së Iranit, përfshirë vrasjen e udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei. Por, ato kanë shkaktuar gjithashtu vrasjen e qindra civilëve, sipas grupeve humanitare vendase, si dhe kanë shkatërruar shkolla e spitale, si pasojë.

“Ne ishim të lumtur me lajmin për vdekjen e Khameneit”, tha për Radion Farda një burrë 56-vjeçar në Teheran, duke folur në kushte anonimiteti për arsye sigurie.

“Por, tani këto bombardime të rënda po më shqetësojnë. Irani nuk duhet të shkatërrohet dhe të copëtohet. Shpresoj se e ardhmja të jetë e ndritur”, shtoi ai.

Banorët e Teheranit ndajnë imazhe të shkatërrimit nga sulmet ajrore:

Vdekja e Khameneit, një autokrat që e sundoi vendin me dorë të hekurt për gati 40 vjet, u festua nga shumë njerëz në rrugët e Iranit. Por, për shumë të tjerë, vëmendja është përqendruar shpejt te ajo se çfarë do të ndodhë më pas.

Fushata ajrore e SHBA-së dhe Izraelit paraqet kërcënim jetik për teokracinë e Iranit. Nëse Republika Islamike shembet, disa kanë frikë se vendi shumetnik me rreth 90 milionë banorë mund të zhytet në luftë civile dhe anarki si fqinjët e tij, Iraku dhe Afganistani.

“Bombardimet janë të tmerrshme dhe i dëgjuam [sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit] duke goditur zonat e banuara”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë një nënë 49-vjeçare në Teheran.

“Nuk mund të flemë natën dhe njëri nga qentë e mi fshihet në banjë nga frika”, shtoi ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u kanë bërë thirrje iranianëve të ngrihen në këmbë dhe “ta marrin në dorë Qeverinë” e vendit të vet.

Por, nuk ka pasur asnjë shenjë të ndonjë kryengritjeje në rrugët çuditërisht të qeta të qyteteve të mëdha iraniane, të cilat patrullohen nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe forca paraushtarake, Basij.

Në janar, autoritetet i shtypën brutalisht protestat e mëdha, duke vrarë mijëra njerëz. Ato protesta ishin kërcënimi më i madh ndaj sundimit të tyre në dekada.

Iranianët festojnë vdekjen e Khameneit:

Në Teheran, një qytet me 10 milionë banorë, shumë njerëz po qëndrojnë brenda shtëpive ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po vazhdojnë të godasin caqet e sigurisë dhe Qeverisë.

Numri i njerëzve të vrarë në vend që nga fillimi i sulmeve SHBA-Iran më 28 shkurt arriti në 787 më 3 mars, sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit. Ndërkohë, Organizata Aktivistët për të Drejtat e Njeriut në Iran, me bazë në SHBA, raportoi se 742 civilë kanë vdekur, përfshirë 176 fëmijë.

“Shumë njerëz prisnin të dëgjonin lajmin për vdekjen e udhëheqësit [Khamenei], por zhurmat e raketave dhe shpërthimeve, dhe fëmijët dhe njerëzit që humbin jetën, kanë lënë pak hapësirë për gëzim”, tha një grua 27-vjeçare në Teheran./REL

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top