Irani dhe Shtetet e Bashkuara, të mbështetura nga Izraeli, janë përfshirë në një konflikt që rrezikon seriozisht të hapë një çarje edhe në prag të Botërorit të ardhshëm të përbashkët mes SHBA, Kanadasë dhe Meksikës, ku kombëtarja iraniane, e kualifikuar rregullisht në fushë, ka njoftuar me një deklaratë zyrtare se aktualisht është shumë e vështirë të konfirmojë pjesëmarrjen.
Federata iraniane e futbollit ka pranuar se sot për sot duket tejet e pamundur që Kombëtarja të marrë pjesë në Botërorin 2026. Mehdi Taj, president i federatës, deklaroi në televizionin publik iranian: “Me atë që ka ndodhur sot dhe me atë sulm të Shteteve të Bashkuara, është e pamundur të mendojmë përpara për Kupën e Botës, por janë drejtuesit sportivë që duhet të vendosin”.
Kush do ta zëvendësojë Iranin në Botërorin 2026: Emiratet e Bashkuara apo Iraku
Kreu i futbollit iranian konfirmoi gjithashtu se kampionati kombëtar është pezulluar deri në një njoftim të ri. Në planin sportiv shqetëson zhvillimi i konfliktit në lidhje me Botërorin, me vendin e Iranit që mund të merret nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë është një vendim ende nën shqyrtim, me FIFA-n që ka marrë kohë shtesë për të vlerësuar situatën. Në garë është edhe Iraku, që aktualisht është gati të luajë playoff-et pranverore kundër Bolivisë ose Surinamit. Por gjithçka mund të ndryshojë, me kombëtaren irakene që mund të “promovohet” drejtpërdrejt në Botëror dhe Emiratet të marrin vendin e saj në play-off.
Komunikata e FIFA-s: “Objektivi një Botëror i sigurt”
Përballë kësaj situate, International Football Association Board u mblodh me sekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafstrom, i cili foli për pjesëmarrjen e vështirë të Iranit në Kupën e Botës: “Sot në mëngjes lexova lajmet dhe kemi zhvilluar një takim, por është herët për të komentuar në detaje. Do të monitorojmë zhvillimet për të gjitha çështjet në mbarë botën: objektivi ynë mbetet një Kupë Bote që të zhvillohet në siguri, me pjesëmarrjen e të gjitha skuadrave të kualifikuara”.