Romelu Lukaku nuk arrin ta përmbajë emocionin dhe shpërthen në lot në transmetim të drejtpërdrejtë. Ai, hero në “Bentegodi” me golin në minutën e 95-të që peshon shumë në garën për Champions, shkrihet në lot çlirues. Gazetarja e DAZN, Federica Zille, mbetet pa fjalë përballë atij shpërthimi të sinqertë. Juan Jesus vendos dorën mbi supin e belgut, që ul kokën dhe merr frymë thellë. Për disa çaste hesht, përpiqet të qetësohet, por është e pamundur t’i rezistojë forcës së ndjenjave. Ka sytë me lot dhe zërin e dridhur. Big Rom kujton muajt shumë të vështirë që ka kaluar, për shkak të dëmtimit të gjatë dhe vdekjes së të atit.
“Këta katër muajt e fundit kanë qenë shumë të vështirë, sidomos në nivel personal. Futbolli më ka dhënë gjithçka, por të humbasësh babanë siç e kam humbur unë është e rëndë… Ec përpara për fëmijët e mi, për vëllezërit e mi dhe për Napolin që më ka dhënë shumë. Napoli më ka dhënë gjithçka, para se të vija këtu isha i vdekur”.
Fjala e fundit e Lukakut është po aq prekëse dhe tregon sa e rëndësishme ka qenë (dhe është ende) për të eksperienca me fanellën blu. Një eksperiencë që i ka ndryshuar jetën, duke gjykuar nga fjalët që shqipton para se të futet në dhomat e zhveshjes: “Napoli më ka dhënë gjithçka, para se të vija këtu isha i vdekur”.
Ishte pikërisht goli i tij në minutën e 95-të që i dha Napolit një fitore shumë të rëndësishme ndaj Veronës. Pas 281 ditësh nga goli i fundit (ai i titullit ndaj Cagliarit më 23 maj), ai riktheu shijen e golit dhe realizoi një tjetër rrjetë shumë të çmuar për renditjen, moralin dhe objektivat. “Jam i lumtur për skuadrën. Keq për golin që pësuam, por i morëm tre pikët. Ky vit është i vështirë, por duhet të synojmë sa më lart të jetë e mundur”.
Antonio Conte ka fjalë inkurajuese për lojtarin e tij dhe konfirmon në TV sa e madhe ka qenë vuajtja e futbollistit dhe e njeriut që ai e njeh mirë. “Romelu ka pasur një dëmtim vërtet shumë të rëndë – fjalët e teknikut salentin për DAZN –. E di shumë mirë sa vuan ai, do të donte të ndihmonte Napolin dhe drejtpërdrejt mua, për marrëdhënien që kemi. Po e përkëdhelim dhe po punojmë me të, ende nuk është ai që njoh, por po punojmë. Ky gol duhet t’i japë besim, ka Botërorin dhe do të doja që si ai ashtu edhe De Bruyne ta luanin”.