Sindikata e Aktorëve të Greqisë, si edhe sindikatat e punonjësve të sektorit privat dhe të vetëpunësuarve, po marrin pjesë në demonstratat që pritet të nisin në orën 12:00 sipas kohës greke, ndërsa Konfederata e Nëpunësve Civilë u ka bërë thirrje gjithashtu punonjësve të sektorit publik të marrin pjesë në protesta.
“Ne vazhdojmë të luftojmë për një transport hekurudhor ekskluzivisht publik, në mënyrë që të mos ketë mbulim të krimit dhe që përgjegjësitë penale dhe politike t’u atribuohen të gjithë të përfshirëve”, theksohet në deklaratë.

Teatrot nuk do të hapen. Federata Detare dhe punonjësit e hekurudhave kanë shpallur gjithashtu grevë, çka do të thotë se shërbimet e planifikuara detare dhe hekurudhore nuk do të funksionojnë. Megjithatë, tramvajet, autobusët dhe metroja e Athinës do të operojnë nga ora 09:00 deri në 21:00 për të transportuar qytetarët drejt protestave.
Mediat raportojnë se më shumë se 4,000 efektivë policie po dislokohen për të ruajtur Sheshin Sintagma në qendër të Athinës dhe për të kryer kontrolle parandaluese para dhe gjatë tubimeve.

Gjyqi i profilit të lartë për tragjedinë e Tempi pritet të nisë në Larisa, në rajonin e Thesalisë, më 23 mars. Dosja e çështjes përmban 60,000 faqe. Mes 36 të pandehurve është edhe shefi i stacionit në Larisa, i cili dërgoi trenin e pasagjerëve në linjën e gabuar, ku ai u përplas me një tren mallrash.
Njëmbëdhjetë drejtues dhe shefa departamentesh të Organizatës së Hekurudhave Greke, OSE, 16 drejtues të kompanisë së infrastrukturës hekurudhore ERGOSE, drejtori ekzekutiv dhe drejtori teknik i Hellenic Train S.A., si edhe shumë të tjerë, akuzohen për ndërprerje të transportit publik dhe kundërvajtje të ndryshme. Tre persona përballen vetëm me akuza për kundërvajtje.
Një gjyq që lidhet me pamjet filmike të trenit të mallrave dhe menaxhimin e tyre është në zhvillim. Po ashtu, pritet vendimi i këshillit gjyqësor, organ që shqyrton ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve të prokurorisë ose të gjykatave, shpesh përpara fillimit të një gjyqi ose ngritjes së akuzës, lidhur me ish-zëvendëskryeministrin Christos Triantopoulos, i akuzuar për ndryshim të vendit të aksidentit.
Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Kostas Karamanlis, akuzohet për shpërdorim detyre.
Maria Karystianou, pediatre, vajza 19-vjeçare e së cilës humbi jetën në përplasjen e trenit dhe ish-drejtuese e Shoqatës së Viktimave të Aksidentit Tempi 2023, ka njoftuar se do të krijojë partinë e saj politike.