Vllaznia ka marrë një fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj Tiranës, duke triumfuar 3-1 në javën e 26-të të “Abissnet Superiore”. Në sfidën e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, shkodranët reaguan pas disavantazhit dhe përmbysën gjithçka në pjesën e dytë.
Takimi nisi më mirë për bardheblutë, që kaluan në avantazh në minutën e 25-të me anë të Redon Xhixhës. Megjithatë, përgjigjja e vendasve ishte e shpejtë: vetëm gjashtë minuta më pas, Bismark riktheu baraspeshën, duke mposhtur portierin Visar Bekaj.
Në fraksionin e dytë, Vllaznia rriti ritmin dhe gjeti golin e avantazhit pas një autogoli të Cortes. Më pas, kapiteni Bekim Balaj vulosi rezultatin nga pika e bardhë, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij dhe duke ndezur festën në Shkodër.
Me këtë sukses, kuqeblutë ngjiten në kuotën e 51 pikëve dhe vijojnë të mbajnë kreun e renditjes. Nga ana tjetër, Tirana mbetet në vendin e nëntë me 21 pikë të grumbulluara pas 26 javësh kampionat.
Disfatë në rikthim, Orges Shehi humbet për herë të parë në një debutim
Rikthimi i Orges Shehi te Tirana u shoqërua me një zhgënjim të madh, pasi bardheblutë u mposhtën 3-1 nga Vllaznia e drejtuar nga Edi Martini. Për herë të parë në karrierën e tij si trajner, Shehi humbi në një ndeshje debutuese, duke thyer një ecuri pozitive që e kishte shoqëruar më parë në pankinat e Skënderbeu, Kukësi, Partizani dhe Ballkani. Kështu, aventura e re në kryeqytet nis me një humbje që prishi “tabunë” e tij në startet si trajner.