Djali i Angelina Jolie dhe Brad Pitt, Maddox, ka hequr mbiemrin e të atit, tetë muaj pasi e njëjta gjë u bë edhe nga motra e tij Shiloh.
Sipas revistës People, 24-vjeçari është listuar në titrat përmbyllës të filmit më të ri të nënës së tij, Couture, si Maddox Jolie, dhe jo më si Maddox Jolie-Pitt.
Maddox ka punuar si asistent regjisor në dramën që debutoi këtë javë në kinematë franceze. Po ashtu, në materialet promocionale të filmit gjatë premierës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto në shtator 2025, emri i tij figuronte si Maddox Jolie. Më herët, në filmin biografik Maria, kushtuar sopranos legjendare Maria Callas, ai ishte kredituar ende si Maddox Jolie-Pitt.
Vitit të kaluar, Shiloh – e lindur si Shiloh Nouvel Jolie-Pitt – ndryshoi ligjërisht emrin në Shiloh Jolie menjëherë pasi mbushi 18 vjeç. Avokati i saj deklaroi se ky ishte një vendim i pavarur dhe i rëndësishëm, i marrë pas ngjarjeve të dhimbshme, duke theksuar se procedura ishte thjesht ligjore sipas kërkesave të shtetit të Kalifornisë.
Një muaj pas kërkesës së Shiloh për të hequr mbiemrin e të atit, burime për People pohuan se marrëdhënia e Brad Pitt me fëmijët e tij të rritur mbetet e tensionuar.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt finalizuan divorcin në dhjetor 2024, duke i dhënë fund një beteje ligjore tetëvjeçare. Ish-çifti vijon gjithashtu përplasjet ligjore lidhur me vreshtin dhe pronën e tyre në Francë, pasi Jolie shiti pjesën e saj të aksioneve në vitin 2021.
Përveç Maddox dhe Shiloh,aktorët kanë edhe katër fëmijë të tjerë: Pax, Zahara dhe binjakët Knox dhe Vivienne. Edhe Vivienne u prezantua së fundmi vetëm me mbiemrin Jolie në një projekt teatror në Broadway.