Tabaku ngre shqetësimin: 90 familje në rrugë, “Made in Albania” po shuhet nga taksat

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vizitoi sërish një fabrikë fasonerie, ku ngriti alarmin për thellimin e krizës në prodhimin vendas dhe mbylljen e bizneseve që deri dje eksportonin produkte “Made in Albania”. Gjatë vizitës, Tabaku tregoi se fabrika që pak muaj më parë kishte 120 punonjës, sot ka mbetur me vetëm 30. Sipas saj, mbi 90 familje kanë humbur vendin e punës, ndërsa makineritë e pluhurosura janë simbol i një sektori që po shuhet për shkak të politikave të gabuara ekonomike.

“Këto janë produktet e fundit ‘Made in Albania’ që ky biznes ka prodhuar në tetor të vitit të shkuar. Fatkeqësisht, si rezultat i taksave të larta, pagesës së inputeve në doganë, zhvlerësimit të euros dhe rritjes së vazhdueshme të pagës minimale, këto biznese po mbyllen,” u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se barra fiskale po rëndon njëkohësisht mbi punëmarrësit dhe punëdhënësit, duke e bërë të pamundur mbijetesën e sektorit fason, një nga sektorët më të rëndësishëm për punësimin dhe eksportet në vend.

“Ky biznes deri dje kishte 120 punonjës. Sot ka vetëm 30. Makineritë e pluhurosura nuk janë thjesht pajisje pune, janë mbi 90 familje të hedhura në rrugë, mbi 90 punonjës pa të ardhura,” deklaroi deputetja e PD-së. Tabaku e cilësoi situatën si një kambanë alarmi për ekonominë shqiptare, duke theksuar se zhvlerësimi i euros po nxjerr nga tregu bizneset e ndershme dhe po godet drejtpërdrejt prodhimin vendas.

Ajo bëri thirrje që çështjet e biznesit dhe të prodhimit shqiptar të mos ndahen sipas vijave politike, por të trajtohen si një emergjencë kombëtare. “Këto janë çështje që duhet ta bashkonin politikën. Alarmi për një ekonomi të kapur në pak duar ka vite që troket në dyert e ekonomisë, por sot është bërë realitet,” u shpreh Tabaku. Sipas saj, ndryshimi i politikave fiskale dhe mbështetja reale për produktet shqiptare janë thelbësore jo vetëm për të rikthyer prodhimin “Made in Albania” në tregje, por edhe për të garantuar një të ardhme për familjet që sot po përballen me papunësi dhe pasiguri ekonomike.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top