Ende nuk ka afat se kur do të marrë fund izolimi i juglindjes. Por sot kanë dalë në një konferencë zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kreun e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, dolën në një konferencë për mediat për të sqaruar situatën e krijuar në aksin Librazhd–Pogradec dhe në bypassin e ri, pas dëmtimeve të shkaktuara nga moti i keq.
Sipas drejtuesit të ARRSH-së, reshjet intensive të ditëve të fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në destabilizimin e terrenit. “Mbetet ndikimi i reshjeve intensive, erozioni lumor që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive”, deklaroi Kozeli, duke theksuar se lëvizja e masivit të dheut është ende në fazë aktive dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme inxhinierike.
Në mbledhjen e zhvilluar më 24 shkurt, institucionet përgjegjëse kanë miratuar një paketë masash emergjente dhe afatmesme. Mes tyre parashikohet ndërtimi i një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore, në shtratin e lumit Shkumbin, me qëllim devijimin e përkohshëm të qarkullimit dhe garantimin e aksesit për banorët dhe transportin e mallrave.
Po ashtu, është vendosur prishja e urës ekzistuese në zonën e prekur, si dhe lehtësimi i ngarkesës në segmentin e rrugës ku ka ndodhur rrëshqitja, deri në ndërtimin e një skarpate natyrale që do të stabilizojë terrenin. Një tjetër masë e miratuar lidhet me sistemimin dhe disiplinimin e ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes, për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
“Aksi Librazhd–Prrenjas është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës”, u shpreh Kozeli, duke garantuar se ndërhyrjet do të vijojnë deri në rikthimin e plotë të qarkullimit.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një afat të saktë për përfundimin e punimeve sepse segmenti ku duhet ndërhyrë është 1.3 kilometra, ndërsa situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga strukturat teknike dhe ato të mbrojtjes civile.