Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së Gazment Bardhi ka deklaruar se PS-ja ka penguar për 2 muaj drejtësinë. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, Bardhi është shprehur se mbledhja e Këshillit të Mandateve duhet të jenë të hapura. Për këtë kërkesë, Bardhi ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi që të hedhin në votim kërkesën e tij për mënyrën e mbledhjes.
‘Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren. Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje,’ tha Bardhi.