Aktorja e njohur nga seriali “Gossip Girl”, Leighton Meester, ka reaguar pas momentit viral me këngëtaren Ariana Grande në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Critics Choice Awards më 4 janar.
Gjatë kalimit në tapetin e kuq, Grande i thirri Meester: “Të dua shumë! Uau, uau, uau!”, ndërsa kjo e fundit iu përgjigj me shaka: “Wah, wah, wah”, duke qeshur.
Videoja u bë shpejt virale në rrjete sociale, ku disa e interpretuan reagimin e Meester si tallës ndaj aktores së “Wicked”.
Megjithatë, 39-vjeçarja ka sqaruar gjithçka gjatë paraqitjes së saj në podcast-in “Podcrushed”.
Meester tregoi se ndodhej pranë publicistes së saj kur Grande i tha diçka, por ajo nuk e dëgjoi qartë.
“Kate (publicistja ime) u kthye dhe të dyja menduam se dëgjuam: ‘Hi, I love you. Wah, wah, wah’,” shpjegoi ajo. “Nuk e dëgjova mirë. Ajo po largohej dhe mendova: ‘Ajo është një mbretëreshë e komedisë, po bën shaka.’”
Sipas Meester, ajo mendoi se reagimi i Grandes ishte një lojë fjalësh, ndaj iu përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke e konsideruar situatën të lezetshme dhe argëtuese.
“Doli që ajo nuk kishte thënë fare ashtu,” shtoi aktorja, duke e cilësuar situatën si “të turpshme”.
Meester tha se u takua me Grande një javë më vonë dhe u përpoq t’ia shpjegonte keqkuptimin.
“Ajo më tha: ‘Ti mendove se thashë wah, wah, wah? Kjo është shumë qesharake.’ Dhe unë i thashë: ‘Jo, është thjesht një person që po plaket dhe nuk dëgjon mirë.’ Ishte shumë e sikletshme,” rrëfeu ajo me humor.
Pavarësisht reagimeve negative në rrjet, shumë fansa e panë momentin si një shkëmbim të pafajshëm dhe argëtues mes dy artisteve.
Një komentues shkroi: “Edhe nëse po tallej, ishte në një mënyrë të lehtë dhe të ëmbël. Nuk ka arsye të merret kaq seriozisht.” Një tjetër shtoi: “Kjo është shumë e ëmbël, të dyja janë gra të mrekullueshme.”