Victor Osimhen rikryqëzon rrugën e tij me Italinë dhe sfida ndaj Juventusit në playoff-et e Champions League hap derën për kujtime dhe zbulime. Si ai që mund të kishte qenë vërtet bardhezi përpara se të shkonte në Turqi dhe të vishte fanellën e Galatasarayt. “Po, ashtu si sot mund të isha në dy klube të tjera të mëdha të Serie A. Para se të niste tratativa me Galatasarayn, Giuntoli më telefonoi për të më çuar te Juve. Kam folur me disa persona të klubit, më kanë treguar interes, por e dija që ai (De Laurentiis, shënim i redaksisë) nuk do të më linte të largohesha. Në çdo rast, interesi ishte dhe si. Dhe kur të telefonon Juve, pavarësisht gjithçkaje, duhet të ulesh dhe të dëgjosh”, ka thënë sulmuesi nigerian për Gazzetta.
Dhe sot do të kishte sërish Spallettin si trajner: “Thuhej se ziheshim, por nuk ishte e vërtetë: e vlerësoj shumë. Ka fjetur për muaj të tërë në qendrën stërvitore të Napolit, duke punuar ditë e natë për të na bindur se mund ta fitonim titullin. Ka sjellë Kim, Anguissa, Kvaratskhelia dhe edhe mua në kulmin e formës, duke triumfuar me një klub që nuk ia dilte prej dekadash. Kërkonte shumë, por të jepte shumë. Disa trajnerë të bëjnë të rritesh fillimisht si njeri dhe më pas si futbollist”.
Në Napoli, megjithatë, jo gjithçka shkoi siç shpresonte, sidomos për mënyrën si përfundoi: “Më vjen keq për tifozët, edhe sepse unë nuk kam folur kurrë për atë që ndodhi. Pasi Napoli publikoi atë video në TikTok, diçka u thye përfundimisht. Kushdo mund të gabojë një penallti, kushdo mund të tallet për këtë. Napoli e bëri vetëm me mua, për më tepër me aludime të një lloji të caktuar. Kam qenë viktimë e fyerjeve raciste dhe mora vendimin tim: doja të largohesha. Fshiva fotot me fanellën e Napolit nga Instagrami im dhe ata shfrytëzuan rastin për të më vënë kundër tifozëve. Dhe të mendosh që vajza ime, për mua, është më napolitane se nigeriane…”.
Për kontratën: “Kishim një gentlemen agreement sipas të cilit verën pasuese do të mund të largohesha, por nga ana tjetër angazhimi nuk u respektua plotësisht. U përpoqën të më dërgonin të luaja kudo, më trajtonin si qen. Shko këtu, shko atje, bëj këtë, bëj atë… Kam luftuar shumë për të bërë karrierë, nuk mund ta pranoja atë lloj trajtimi. Nuk jam një kukull”.
Më pas erdhi Conte, i cili do ta kishte dashur ta mbante: “Sigurisht, edhe pse u tha përreth se nuk më donte në skuadër. Të jemi seriozë? Cili trajner në atë moment nuk do të më kishte dashur? Sapo mbërriti, Conte më thirri në zyrën e tij dhe më tha se ishte në dijeni të situatës, por që, pavarësisht gjithçkaje, donte që të qëndroja. I shpjegova se do të më pëlqente të punoja me të, por tashmë e kisha marrë vendimin tim: nuk doja të vazhdoja të punoja në një vend ku nuk ndihesha i lumtur”.