Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH), ka nisur shkarkime të kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit, Hidrocentrali i Fierzës, Hidrocentrali i Komanit dhe Hidrocentrali i Vau i Dejës. Prefektura e Qarkut Shkodër ka informuar mbi situatën aktuale të motit dhe prurjeve në territor, ku që prej pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si edhe e Liqenit të Shkodrës.
Ndërkohë, aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore, është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, në nivelin 40–50 cm, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve të vogla. Në terren ndodhen 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilët janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.
Në aksin Bogë-Theth, reshjet intensive të borës vijojnë të ndikojnë qarkullimin, ndërsa Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Në aksin Hani i Hotit- Vermosh raportohen reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra, ku qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.