Egnatia ka marrë fitore me përmbysje në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Pas një sfide të tensionuar dhe dramatike Egnatia mposhti Teutën në transfertë me rezultat 1-2.
Teuta kaloi e para në avantazh me golin e Arifit. Por Egnatia
arriti të barazojë në shtesën e pjesës së parë me Adjesa, duke rikthyer emocionin në sfidë. Vendimtar ishte Kryeziu. Lojtari shënoi në shtesën e pjesës së dytë, dhe i dhuroi ekipit fitore me përmbysje dhe avantazh për ndeshjen e kthimit.
Trajneri Edlir Tetova komentoi pas ndeshjes
“Kishim bërë rotacion me goxha lojtarë, dhe mendoj që kjo na shërbeu shumë mirë, sidomos duke pasur parasysh ngjeshjen e kalendarit dhe rëndësinë e ndeshjes së Kupës. Vetëm goli i parë, të pësosh një gol në ekuilibër me dy lojtarë të Teutës, ishte i pafalshëm, por më pas skuadra reagoi shumë mirë. Lojtarët që nuk janë zakonisht në balancë në zonën e portës, u përqendruan dhe administruan situatat e rrezikshme në mënyrë korrekt.
Ndeshjet e Kupës janë ndryshe nga ato të kampionatit, sepse çdo gabim mund të kushtojë shumë. Një gol i vetëm bën diferencën dhe nuk ka shumë kohë për rikuperim. Për këtë arsye, lojtarët që kishin nevojë për pushim e morën sot, ndërsa të tjerët dhanë maksimumin. Në minutat vendimtare, ndryshimet taktike që bëmë me futjen e dy sulmuesve ishin vendimtare për të siguruar fitoren dhe për të mos e lënë ndeshjen të hapur deri në fund,” u shpreh Tetova për RTSH.