Kupa e Shqipërisë rinis rrugëtimin e saj me ndeshjet e para çerekfinale. Tetë skuadra, të gjitha të Abissnet Superiore, do të nisin përplasjet e para vajtje-ardhje në kërkim të një trofeu të rëndësishëm. Bylis-Vllaznia ngre siparin e çerekfinaleve, me shkodranët që e vijnë në këtë sfidë nga 7 fitore radhazi mes kampionatit e Kupës e gjejnë një kundërshtar, të shpërqendruar nga renditja që e sheh në zonën e rënies nga kategoria. Në Niko Dovana, Teuta që ka më shumë se një fazë kampionati që nuk njeh fitore, dhe suksesin e vetëm në këtë periudhë e ka në Kupë, do të përpiqet ti japë kuptim tjetër sezonit, përballë Egnatias që herën e fundit doli fituese në Durrës në mbyllje të 2025-ës.
Vetëm 4 ditë nga përplasja e kampionatit, derbi i kryeqytetit Tirana-Dinamo rinovon njohjet për Kupën. Skuadra e Dajës pasi përballoi bardheblutë me një lojtar më pak për 1 orë lojë, tani do të kërkojë të mbrojë statusin e trofembajtësit. Nën ethet e mbijetesës, Tirana e sheh Kupën si mundësinë e vetme për të prekur Europën, por pengesa nuk është fare e thjeshtë. Të fundit zbresin në fushë Elbasani e Partizani, dy skuadra që janë të etura për trofe dhe do ti japin jetë një ndeshje të paparashikueshme, duke qenë se edhe herën e fundit që dy skuadrat u sfiduan pak ditë më parë në kampionat, prodhuan një barazim dramatik 2-2. Sigurisht përtej dëshirës për të siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë, me rëndësi është edhe krijimi i një rezultati të favorshëm për kthimin.
📆 Kalendari i çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë ⚽#kupaeshqiperise pic.twitter.com/Xshz5m9zut
— FSHF (@FSHForg) February 9, 2026