Audero zbulon çfarë ndodhi pas shashkës: “Mendova: pse jam në fushë? Pse po luaj?”

Emil Audero është protagonisti në anën pozitive të ngjarjes vërtet të tmerrshme që ndodhi të dielën në stadiumin Zini të Cremonës, kur një tifoz i Interit në fillim të pjesës së dytë hodhi një petardë në fushë, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm pikërisht një hap larg portierit të Cremoneses. Numri një kuqezi qëndroi për një kohë të gjatë i tronditur në tokë, përpara se të ngrihej dhe të vazhdonte të luante me sportivitet të madh, duke shmangur pasoja më të rënda për zikaltërit, që dolën fitues 2-0 nga fusha.

Audero dhe shashka: pse portieri i Cremonese qëndroi në fushë
29-vjeçari i kombëtares indoneziane tregon çfarë ndodhi në ato momente të trazuara, por sidomos pasi rifilloi të luante. Para së gjithash Audero shpjegon pse vendosi të qëndrojë në fushë: “Adrenalina para së gjithash. Por e bën edhe sepse je në fushë, e kupton situatën dhe nuk do që të përfundojë në atë mënyrë. Brenda meje nuk ndjeja vullnetin për t’u larguar. Të ndërpritej ndeshja për një episod të tillë nuk më shkonte për shtat. E dija që mund t’ia dilja. Edhe pse pastaj ndodhi diçka”.

Me kalimin e minutave Audero e kuptoi se dhimbja fizike nuk ishte problemi kryesor: “Nuk më kishte ndodhur kurrë në karrierë. Në pjesën e dytë ndjeva një ndjesi boshllëku. Plaga në gju më dhembte, por problemi ishte brenda meje. Një ndjesi zhgënjimi e thellë dhe pak dëshirë për të luajtur. Isha në fushë, po bëja punën time që e dua çmendurisht. Por ndërkohë mendimet e mia shkonin te vendi i shpërthimit. Pak më tutje dhe kush e di… dora, krahu, ose edhe më keq. Mendova: pse jam në fushë? Pse po luaj? Koka dhe mendimet më vërtiteshin me mijëra. Ishte një ndjesi shumë e shëmtuar. Por jam njeri fushe dhe kështu që doja të vazhdoja. Ideja për të spekuluar mbi atë që kishte ndodhur nuk bën pjesë në karakterin tim”.

Si është Audero: “Tani është më keq. Do të bëj kontrolle”
Audero kthehet te momenti kur shashka shpërtheu: “Në përgjithësi janë flakadanë që nuk shpërthejnë – tregon për ‘Gazzetta dello Sport’ – Isha i përqendruar te ndeshja, pastaj kthej kokën dhe shoh atë gjë në tokë pranë meje. Unë nuk jam ekspert dhe vetëm rastësisht lëviza duke ndjekur zhvillimin e aksionit me shikim. Gjithsesi po tërhiqja vëmendjen e arbitrit, bëra pak hapa dhe pastaj ai shpërthim i tmerrshëm. Një zhurmë e fortë, sikur të më kishin goditur me çekan në vesh, e kisha të vështirë të dëgjoja. Në këmbën e djathtë pashë një prerje, pantallonat e grisura, dhe ndjeva një djegie shumë të fortë. Po të mos isha zhvendosur, mund të përfundonte vërtet shumë keq. Tani jam mjaft mirë, por është gjithçka shumë e vështirë për t’u përtypur. Në fund të ndeshjes, pasi ra adrenalina, qafa m’u ngurtësua. Tani është edhe më keq sepse veshi më dhemb dhe edhe shpina është e ngurtë. Në ditët në vijim do të bëj kontrolle për të kuptuar nëse ka ndonjë problem, por gjithsesi… le të themi se mund të kishte shkuar edhe më keq”.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top