Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën për forcimin e masave të sigurisë ndaj prokurorit Altin Dumani. Vendimi është marrë pas një kërkese të paraqitur nga kreu i SPAK, Klodian Braho. Sipas burimeve zyrtare, kërkesa lidhet me presionin në rritje ndaj Dumanit, në kuadër të hetimeve të shumta të drejtuara prej tij gjatë kohës kur mbante detyrën e kryeprokurorit të SPAK.
Në të njëjtën mbledhje, Komisioni i Mbrojtjes ka miratuar masa sigurie edhe për disa prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme. Mes tyre është edhe prokurori Dritan Prençi, i cili po heton çështjen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Prençi ka kërkuar më herët caktimin e dy masave të sigurisë ndaj Ballukut: “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë territorit të vendit”, çështje që ka rritur vëmendjen dhe ndjeshmërinë institucionale rreth hetimeve në zhvillim.
Vendimi i KLP-së vjen në një klimë të tensionuar politike dhe institucionale, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë të përfshijnë figura të nivelit të lartë shtetëror.