Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të fusë në rendin e ditës çështjen që i përket gjyqtares Irena Gjoka. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar procedimin penal pas një kallëzimi të depozituar ndaj Gjokës, e cila akuzohet se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga autoritetet greke në mesin e viteve 2000, për falsifikim pasaporte dhe vize. Kallëzimi është paraqitur në SPAK nga Adriana Kalaja.
Sipas SPAK, procedimi penal është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Pas një hetimi administrativ që ka zgjatur rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se më 19 janar 2026 i ka përcjellë zyrtarisht rezultatet e verifikimit Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj), institucioni kompetent për interpretimin e gjetjeve. Akuzat ndaj gjyqtares Gjoka u bënë publike pas firmosjes prej saj të masave të sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të dosjes “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur gjyqtaren për konflikt interesi dhe për fshehje të së kaluarës, përfshirë edhe dënimin penal në Greqi.