Media franceze: Krijuesit e Diellës akuzohen si grup i strukturuar kriminal

Media franceze Liberation i ka kushtuar një artikull korrupsionit në Shqipëri dhe veçanërisht AKSHI-t. Pas artikullit të The New York Times, Liberation ka irobnizuar faktin që ministrja virtuale Diella, që supozohej të luftonte korrupsionin, është e krijuar nga një institucion që akuzohet për korrupsion.

Media franceze shkon më tej, duke cituar një raport të Komisionit Evropian, ku thekson se korrupsioni në Shqipëri mbetet “gjerësisht i përhapur” në vend. Po ashtu përmenden dhe arrestime të disa zyrtarëve të lartë socialistë, siç është dhe rasti i kryebashkiakut Veliaj.

Artikulli i Plotë:
Me kostum tradicional mbi supe dhe një buzëqeshje të gjerë, Diella duhej të ishte imazhi i luftës së qeverisë shqiptare kundër korrupsionit. Simbol i vullnetit të autoriteteve të Tiranës për të luftuar këtë të keqe, kjo ministre shqiptare e krijuar nga inteligjenca artificiale është sot viktimë kolaterale e një hetimi të gjerë.

Shkaku është rruga e errët e krijuesve të kësaj asistenteje virtuale, të lidhur me Agjencinë Shqiptare për Shoqërinë e Informacionit, thekson Neë York Times të martën, më 27 janar.

Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se kishte nisur procedime ndaj tetë qytetarëve shqiptarë, përfshirë drejtoren e Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit dhe zëvendësin e saj. Ky institucion, që menaxhon infrastrukturën digjitale të qeverisë, kontrollon sidomos një gamë të gjerë sistemesh publike online në Shqipëri, përfshirë edhe të famshmen ministre nga AI, Diella.

Sipas komunikatës së prokurorisë, të dyshuarit lidhen me një “grup kriminal të strukturuar” përgjegjës për manipulim dhe intimidim në dhënien e kontratave publike. Shkalla e akuzave është e gjerë. Faktet që i atribuohen autoriteteve shqiptare shkojnë nga “shkelja e parimit të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” te “konkurrenca e pandershme përmes dhunës”, deri te “heqja e paligjshme e lirisë”.

“Pavarësi dhe profesionalizëm”

Zyrtarisht e emëruar në shtator si “Ministre e tregjeve publike” nga Kryeministri Edi Rama, Diella ka folur disa herë para deputetëve shqiptarë ose gjatë konferencave ndërkombëtare. Kjo ministre virtuale u krijua kryesisht si ndihmë për qytetarët në procedurat e tyre pranë shërbimeve publike. Ajo duhej të garantonte transparencën dhe të jepte një goditje serioze korrupsionit masiv të zyrtarëve që deri më tani vepronin në vend.

Drejtoresha e agjencisë dhe zëvendësi i saj nuk janë akuzuar ende. “Duhet të presim dhe të shohim,” theksoi Kryeministri Edi Rama, sipas raportimit të New York Times. Dhe udhëheqësi shqiptar shtoi: “Njëkohësisht, duhet të jemi të vetëdijshëm që ky institucion duhet të garantojë jo vetëm pavarësinë, por edhe profesionalizmin e saj.”

Shqipëria, që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ka bërë luftën kundër korrupsionit një prioritet qeveritar. Kjo politikë është gjithashtu një kusht që vendi të mund të bashkohet me BE-në. Që nga maji 2025 dhe fitorja e partisë pro-BE në zgjedhjet legjislative, Edi Rama ka nisur procedime në të gjitha drejtimet. Hetime të mëdha kanë objekt ish-presidentin e vendit, Ilir Meta, ose edhe Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës, kryeqytetit të vendit.

Nëse një raport i Komisionit Evropian, i publikuar në nëntor, vlerësonte “disa përparime” të Shqipërisë në këtë fushë, ekspertët evropianë vënë në dukje se korrupsioni mbetet “gjerësisht i përhapur” në vend.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top