Vllaznia ka arritur sot fitoren e katërt radhazi në kampionat, duke u rikthyer në krye të renditjes dhe duke iu bashkuar Egnatias. Pa Martinin në pankinë, të skualifikuar, shkodranët morën fitoren e pestë radhazi mes kampionatit e Kupës. Kërnaja, në anën tjetër, ka siguruar vetëm tre pikë në pesë ndeshjet e fundit, duke e komplikuar tani edhe vendin e pestë.
Shkodranët kontrolluan pjesën e parë dhe shënuan golin vendimtar me një goditje të bukur të Kastratit, që vulosi avantazhin për vendasit. Në pjesën e dytë, Partizani u mundua të reagonte. Të kuqtë krijuan disa raste para portierit Pohls, por nuk arritën të gjejnë rrugën drejt rrjetës.
Me këtë fitore, Vllaznia feston tre pikët dhe rikthehet në krye të klasifikimit. Nga ana tjetër Partizani sheh “Final Four”-in të largohet gjithnjë e më shumë.
Trajneri Kërnaja pas ndeshjes: “1 me 0 nuk është fundi i botës”
Pas ndeshjes, trajneri i Partizanit, Kërnaja, theksoi se rezultati nuk ishte tragjik dhe shpjegoi vështirësitë me të cilat u përball ekipi.
“Duhet të fusnim topin në rrjetë, me rastet që kishim duhet të shfrytëzonim momentet. Skuka nuk përballonte më shumë se 20 minuta. Toma dhe Diego ishin me tipare të njëjtë dhe i ndërruam sipas pjesëve të lojës. Kishim rastet, por fatkeqësisht nuk shënuam. Po vuanim edhe nga dëmtime dhe kushtet e fushës. Katërshja e mbrojtjes nuk kishte luajtur bashkë, dhe disa lojtarë nuk ishin në pozicionin e tyre më të mirë. Djemtë dhanë maksimumin. Por ndodh që të mos shënosh, ndaj tani do të mendojmë për ndeshjen e radhës.”, tha Kërnaja.