Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka dalë si figura qendrore e përballjes politike me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën, territorin gjigant autonom që Uashingtoni ka shënjestruar si objekt strategjik.
Pas kërcënimeve të përsëritura nga Trump për të marrë Groenlandën (madje edhe me forcë), presidenti amerikan duket se ka bërë një hap pas. Në një fjalim në Davos, Trump deklaroi se nuk do të përdorte forcë ushtarake dhe se ishte arritur një “kornizë e një marrëveshjeje të ardhshme”, edhe pse pa detaje konkrete.
Burime diplomatike sugjerojnë se përveç presionit politik të brendshëm në SHBA dhe luhatjeve në tregjet financiare, një rol kyç ka luajtur strategjia e kujdesshme, por e fortë e Frederiksen.
Strategji presioni dhe “vija të kuqe”
Frederiksen ka ndjekur një politikë presioni, duke refuzuar kategorikisht çdo ide të sovranitetit amerikan mbi bazat ushtarake në Groenlandë. Ajo e ka quajtur sovranitetin territorial “vijë të kuqe” dhe ka mobilizuar aleatë europianë për të treguar se çdo veprim i njëanshëm i SHBA do të sillte përplasje serioze brenda NATO-s.
Në një manovër simbolike, ajo dërgoi një kontingjent të vogël ushtarak nga Britania, Gjermania, Franca dhe Islanda në Groenlandë, nën pretekstin e stërvitjeve arktike. Mesazhi ishte i qartë: çdo ndërhyrje amerikane do të përfshinte përballje me aleatë europianë.
Groenlanda, kartë gjeopolitike dhe identitare
Groenlanda është kyçe për Danimarkën. Pa të, vendi do të humbiste 98% të territorit të tij dhe statusin e një aktori të rëndësishëm arktik. Për SHBA, ishulli ka rëndësi strategjike ushtarake dhe gjeopolitike, ndërsa për 57 mijë banorët inuit, çështja prek vetë të ardhmen dhe identitetin e tyre.
Frederiksen ka deklaruar se e ardhmja e Groenlandës i përket popullit Groenlandez, duke u përpjekur të balancojë interesat koloniale historike me autonominë moderne.
Lidership politik dhe popullaritet i brendshëm
Përballja me Trump ka rritur ndjeshëm popullaritetin e saj në Danimarkë. Sondazhet tregojnë rritje të fortë për socialdemokratët, ndërsa zgjedhjet e ardhshme pritet ta konfirmojnë për një mandat të tretë.
Qasja e saj e drejtpërdrejtë (pa servilizëm ndaj Uashingtonit) e ka diferencuar nga liderë të tjerë europianë.
Nga politika e brendshme te krizat globale
Frederiksen ka udhëhequr Danimarkën në disa kriza: pandemia COVID-19, lufta në Ukrainë (ku Danimarka ishte ndër të parat që dërgoi avionë F-16), si dhe politikat e ashpra të emigracionit që kanë ulur ndjeshëm flukset migratore, por janë kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut.
Mesazh për SHBA-në: aleancë pa nënshtrim
Pavarësisht tensioneve, Frederiksen thekson rëndësinë e aleancës transatlantike, duke kujtuar rolin vendimtar të SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore dhe sigurinë e europës.
Por rasti i Groenlandës ka treguar se Danimarka nuk është e gatshme të sakrifikojë sovranitetin për hir të stabilitetit diplomatik.
The New York Times, përgatiti ©LAPSI.AL