Çfarë janë agjentët federalë që po vrasin protestues në SHBA?

Minneapolis është shndërruar në skenën e një përplasjeje të rëndë mes qytetarëve amerikanë dhe agjencive federale të imigracionit, duke ngritur shqetësime të thella se në Shtetet e Bashkuara po ndodh një militarizim i brendshëm nën petkun e “zbatimit të ligjit emigrator”.

Brenda më pak se tre javësh, dy qytetarë amerikanë janë vrarë nga agjentë federalë gjatë operacioneve të ICE dhe Patrullës Kufitare, një zhvillim që ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur protesta masive në disa qytete.

Termi “agjentë federalë” në këtë rast nuk ka lidhje me policinë lokale të Minneapolis apo me forcat e rendit të shtetit të Minnesota-s.

Bëhet fjalë për oficerë të qeverisë federale amerikane, të varur nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), kryesisht nga agjencia ICE (Immigration and Customs Enforcement) dhe nga U.S.

Border Patrol, struktura të krijuara fillimisht për deportime dhe kontroll kufitar, por që tani po operojnë gjithnjë e më shpesh brenda qyteteve amerikane.

ICE është agjencia që arreston, ndalon dhe deporton emigrantë pa dokumente ose persona që konsiderohen në shkelje të ligjeve të imigracionit.

Border Patrol, e njohur si Patrulla Kufitare, tradicionalisht vepron në kufijtë jugorë dhe veriorë të SHBA-së, por administratat e fundit federale e kanë përdorur gjithnjë e më shumë edhe në operacione urbane, duke e shndërruar çështjen e emigracionit në një ndërhyrje policore të armatosur brenda komuniteteve civile.

Kriza shpërtheu një ditë më parë, në24 janar 2026, kur Alex Pretti, një infermier i kujdesit intensiv dhe qytetar amerikan, u qëllua për vdekje nga agjentë federalë në Minneapolis gjatë një operacioni të ICE.

Autoritetet federale pretenduan se Pretti iu afrua agjentëve me armë dhe se u qëllua në “vetëmbrojtje”.

Por pamjet video të verifikuara nga Reuters dhe media të tjera ndërkombëtare tregojnë se Pretti mbante vetëm telefon në dorë dhe u qëllua ndërsa ishte i rrëzuar përtokë, pas përdorimit të spray-t dhe ndërhyrjes së forcave federale në mes të turmës.

Vrasja e tij ndezi protestat në Minneapolis, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë duke kërkuar hetim të pavarur dhe largimin e ICE nga qytetet amerikane.

Autoritetet lokale, përfshirë guvernatorin e Minnesota-s, e dënuan ashpër ndërhyrjen federale dhe kërkuan që hetimi të mos kontrollohej nga vetë agjencitë federale që janë të përfshira në incident.

Por kjo ishte vrasja e dytë brenda pak ditësh. Më 7 janar 2026, një tjetër qytetare amerikane, Renée Good, u vra gjatë një operacioni të ICE, gjithashtu në një përplasje të lidhur me ndërhyrjet federale.

Edhe në këtë rast, autoritetet federale argumentuan përdorimin e forcës si të nevojshëm, ndërsa komunitetet lokale e panë incidentin si pjesë të një modeli të ri ku agjentët e emigracionit po sillen si një forcë represive, jo si shërbim administrativ.

Dy vrasjet brenda një periudhe kaq të shkurtër kanë nxitur akuza të forta se politika e emigracionit në SHBA po shndërrohet në një fushatë të militarizuar, ku agjentë të specializuar për deportime veprojnë me armë në rrugët e qyteteve, shpesh pa transparencë, pa përgjegjësi ndaj autoriteteve lokale dhe me pasoja tragjike për civilët.

Sipas raportimeve, administrata federale ka dislokuar mijëra agjentë të ICE dhe Border Patrol në qytete si Minneapolis, duke e justifikuar këtë si “shtim të kapaciteteve për zbatimin e ligjeve të imigracionit”.

Por në praktikë, prania e tyre ka prodhuar një situatë ku komunitetet urbane ndihen të pushtuara nga forca federale që nuk kanë lidhje me rendin lokal, por me një agjendë politike për deportime masive.

Protestuesit dhe aktivistët e të drejtave civile paralajmërojnë se kjo është një kthesë e rrezikshme, pasi një shtet që përdor aparatin federal të emigracionit si instrument force brenda territorit të vet krijon precedent për përplasje të dhunshme me qytetarët.

Nëse agjentët federalë që supozohet të ndjekin emigrantë pa dokumente po vrasin qytetarë amerikanë në rrugë, pyetja që lind është se kush kontrollon këto struktura dhe kush mbron qytetarët nga vetë shteti?

Rastet e Alex Pretti dhe Renée Good nuk janë thjesht incidente të izoluara. Ato janë sinjali i një përshkallëzimi ku emigracioni po përdoret si justifikim për një aparat represiv federal, me pasoja që po e tronditin themelet e demokracisë amerikane.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top