Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë komisionin e përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas rundit të dialogut me Serbinë të zhvilluar në Bruksel, tha se tani mbetet që javët e ardhshme të takohen “zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”.
“Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi.
Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, e cilësoi raundin e dialogut të 22 janarit si “takimin e parë të komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.
“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset në drejtim të gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviç.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë njëherësh janë edhe bashkëkryesues të këtij komisioni. Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, tha se për tre vjet Serbia kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni.
“Ne mirëpresim takimin e radhës, me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën e personave të zhdukur”, shkroi Hoti në Facebook. Marrëveshja u arrit pas disa orësh bisedimesh që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, zhvilloi veç e veç me Bislimin dhe Petkoviçin. Në fund të këtyre takimeve, në orët e mbrëmjes u mbajt një takim i përbashkët, në të cilin marrëveshja u formalizua.